E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

PE kërkon reformimin e procesit të vendimarrjes për anëtarësimin: Të ringjallet procesi i zgjerimit për vendet aplikuese

Parlamenti Evropian i ka rekomanduar Bashkimit Evropian shfuqizimin e kërkesës për të vendosur unanimisht lidhur me progresin e vendeve individuale në procesin e anëtarësimit. Pas përfundimit të punimeve të sesionit plenar të 23 nëntorit, kushtuar strategjisë së re të zgjerimit,  PE i ka rekomanduar BE-së reformimin e procesit të vendimarrjes për anëtarësim dhe avancimin e negociatave të anëtarësimit me shumicë të cilësuar, në vend të unanimitetit, që BE të jetë një lojtar global më i besueshëm dhe efikas.

Po ashtu, sipas DW, eurodeputetët rekomanduan që negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë deri në vitin 2030 ndërsa theksuan që asnjë alternativë nuk duhet të zëvendësojë zgjerimin e BE.

Ata i bënë thirrje BE “të kapërcejë situatën e status quo dhe të ringjallë procesin e zgjerimit si midis vendeve anëtare ashtu edhe në vendet aplikuese”.

Eurodeputetët kanë kërkuar që reforma demokratike dhe sundimi i ligjit të vihen në krye të procesit të zgjerimit, krahas përmirësimit të monitorimit, raportimit, vlerësimit dhe kushtëzimit.  Gjithashtu eurodeputetët kanë rekomanduar që çdo mungesë progresi apo kthim prapa në procesin e reformave të lidhura me integrimin evropian të ketë sanksione në kohë reale por dhe t’i shpërblejë vendet kandidate kur ato bëjnë përparim të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe futjen e tyre në tregun e përbashkët të BE.

Eurodeputetët i kërkuan BE “afate të qarta për përfundimin e negociatave me vendet që kanë hyrë në procesin e anëtarësimit dhe këmbëngulën që negociatat duhet të përfundojnë më së voni deri në fund të kësaj dekade. Rekomandimet e Parlamentit Evropian u miratuan me 502 vota pro, 75 kundër dhe 61 abstenime.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›