E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, mbetjet spitalore rrezikojnë shëndetin e banorëve

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mjedisit dhanë alarmin për mbetjet spitalore. Do të zbatohet një paketë ligjore për trajtimin e tyre


Mbetjet spitalore po rrezikojnë seriozisht shëndetin e banorëve. E ndërsa infeksionet dhe sëmundjet që shkaktohen nga këto mbetje janë problematike, trajtimi i tyre lë për të dëshiruar, sepse pa standarde nuk trajtohen fare.


Pikërisht për këtë problem u zhvillua dje konferenca me temë "Trajtimi i Mbetjeve Spitalore", ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, të cilët renditën problematikën e mbetjeve spitalore në vendin tonë.


Ndërkohë, kreu i Shëndetësisë, Vasili, thekson se duhet të zbatohet një paketë ligjore për trajtimin e mbetjeve spitalore. Ndërkohë, në konferencë u bë e ditur se një pjesë e spitaleve kanë lidhur kontrata të jashtëligjshme me firma që nuk janë kompetente për asgjësimin e mbetjeve spitalore.


Problemi


"Trajtimi jo i duhur i mbetjeve spitalore sjell rritje të infeksioneve intraspitalore dhe këto infeksione spitalore rrisin në mënyrë proporcionale kostot spitalore. Ne jemi të gjithë të bindur se na duhen veprime të rëndësishme, jo vetëm ligjore, por dhe të drejtpërdrejta në terren", pohon ministri Vasili.


Sipas tij, nga kontrollet e fundit të inspektorateve të mjedisit me drejtoritë e shëndetit publik në terren, u konstatuan një sërë problemesh në drejtim të menaxhimit të mbetjeve spitalore në institucionet shëndetësore në vend. Sipas këtyre inspektimeve, ajo çka vihet re është se në përgjithësi nuk ekzistojnë inceneratoret ose metoda të tjera të përcaktuara me ligj për trajtimin e mbetjeve spitalore.


Edhe në ato raste, kur ka incenerator, ato janë jashtë kushteve teknike. Nuk është bërë pajisja me leje mjedisore dhe nuk është bërë mirëmbajtja periodike e tyre. "Kjo pastaj në raste të patolerueshme të djegies së tyre në gjendje të lirë, pasi emetimi i gazrave që çlirohen është me pasoja katastrofike për shëndetin", pohojnë specialistët, duke shtuar se në përgjithësi mbetjet spitalore hidhen në koshat e mbetjeve urbane dhe tërhiqen nga firmat e pastrimit të qyteteve dhe hidhen të patrajtuara, çka përbën një nonsens, pasi nga njëra anë spitalet kujdesen për shëndetin e qytetarëve dhe nga ana tjetër kthehen në gjenerues të qendrave të rreziqeve për jetën dhe shëndetin e njerëzve.


Spitalet


Një pjesë e spitaleve kanë lidhur kontrata të kundraligjshme me subjekte private që nuk kanë lejet e posaçme për trajtimin e mbetjeve spitalore, të cilat i depozitojnë të patrajtuara në fushat e depozitimit të mbetjeve urbane, si dhe në vende të tjera të pamiratuara me ligj nga organet kompetente.


Këto janë rezultatet e inspektimeve, sipas të cilëve, shkeljet e spitaleve vazhdojnë me licencimin e subjekteve private, në fushën e shëndetësisë që janë gjenerues të mbetjeve spitalore, nuk mund të bëhet pa kërkuar më parë nga ato mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore që ato do të gjenerojnë dhe përputhshmërinë e këtij trajtimi me Direktivat Europiane dhe praktikat më të mira të kohës.


Drafti, Plan Kombëtar për Mbetjet e Rrezikshme

Draft-Strategjia përcakton që për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme brenda vitit 2010, do të krijohet Grupi i punës për Mbetjet e Rrezikshme për të ndërmarrë inventarizimin e mbetjeve të rrezikshme, dhe zhvillimin e projektfishave për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.


Kjo u bë e ditur në konferencë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mjedisit, duke shtuar se strategjia synon që brenda vitit 2011 të hartohet Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve të Rrezikshme me afate, objektiva dhe indikatorë të monitorimit të progresit të përcaktuara qartë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›