PEKIN – Kina bën thirrje për diplomaci në lidhje me Iranin pas samitit Trump-Xi

PEKIN, 15 MAJ /ATSH-AA/ – Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, përfshirë çështjen bërthamore, përmes negociatave dhe dialogut, pas vizitës së fundit shtetërore të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë.
Duke informuar gazetarët për rezultatet e samitit Xi-Trump, Wang tha se të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë konfliktin që përfshin Iranin dhe sigurinë rreth Ngushticës së Hormuzit.
“Kina inkurajon SHBA-në dhe Iranin që të vazhdojnë të zgjidhin dallimet dhe mosmarrëveshjet e tyre, përfshirë çështjen bërthamore, përmes negociatave, dhe mbështet rihapjen sa më të shpejtë të Ngushticës së Hormuzit mbi bazën e ruajtjes së armëpushimit”, tha ai, duke shtuar se liderët zhvilluan gati nëntë orë bisedime gjatë vizitës treditore të Trumpit në Kinë dhe i përshkroi diskutimet si të hapura, të thella dhe strategjike.
Ministri tha se forca nuk mund të zgjidhë mosmarrëveshje komplekse dhe se angazhimi politik mbetet e vetmja rrugë e mundshme përpara.
Wang tha se të dy palët ranë dakord të krijojnë një këshill tregtar dhe një këshill investimesh, si dhe të vazhdojnë bisedimet për rregullime tarifore dhe akses në tregun bujqësor.
Ai shtoi se ekipet e punës nga të dy vendet po vazhdojnë negociatat për të finalizuar detajet dhe për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve.
Të dy palët gjithashtu ranë dakord që marrëdhëniet e ardhshme të përkufizohen si një “marrëdhënie konstruktive, strategjike dhe e qëndrueshme”, duke zgjeruar shkëmbimet në diplomaci, siguri, tregti, shëndetësi, bujqësi dhe kulturë.
Për çështjet ekonomike dhe tregtare, Wang tha se liderët riafirmuan përfitimin e ndërsjellë si bazë të marrëdhënieve dypalëshe dhe theksuan konsultimin e barabartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Trump gjithashtu i ka bërë një ftesë Xi-së për të vizituar SHBA-në më 24 shtator.
Deklaratat e kryediplomatit Wang erdhën pas një samiti të nivelit të lartë në Pekin të enjten dhe të premten, gjatë të cilit dy liderët diskutuan gjithashtu tregtinë, Tajvanin dhe konkurrencën më të gjerë strategjike mes dy ekonomive më të mëdha në botë, duke sinjalizuar dëshirën për të ruajtur komunikimin dhe për të shmangur përballjen direkte. /os/