Kumbaro: Numri i vajzave po rritet gjithnjë e më shumë në radhët e policisë

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Në Akademinë e Sigurisë u diplomuan sot 104 oficerë të rinj, të cilët i bashkohen radhëve të strukturave të rendit publik në vend.
Ky brez i ri përfaqëson një angazhim të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të sigurisë publike, duke sjellë profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në detyrë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari si dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ministrja Kumbaro në fjalën e saj vlerësoi kontributin e Akademisë së Sigurisë dhe rëndësinë e këtij momenti për sistemin e rendit dhe sigurisë në vend.
“Janë 24 vajza që diplomohen sot, duke shtuar praninë e tyre në një trupë të rëndësishme dhe të jashtëzakonshme. Më vjen veçanërisht mirë që numri i vajzave po rritet gjithnjë e më shumë. Ju jeni krenaria e kësaj shkolle, pa i zbehur aspak vlerat e kolegëve tuaj meshkuj, por për vajzat ky është një moment i veçantë”, u shpreh ministrja.
Ministrja nënvizoi se institucionet e sigurisë janë pjesë thelbësore e shoqërisë dhe se Policia e Shtetit nuk është vetëm një strukturë rendi, por një trupë njerëzish që shërbejnë çdo ditë në territor me përgjegjësi dhe përkushtim.
“Policia e Shtetit nuk është vetëm një strukturë që duhet të jetë e pranishme sipas Kushtetutës, por një institucion që lidhet çdo ditë me edukimin qytetar, kulturën dhe përgjegjësinë në shoqëri”, tha ajo.
Duke vlerësuar bashkëpunimin me Akademinë e Sigurisë, ministrja theksoi rolin e saj të veçantë në përgatitjen e profesionistëve të rinj të sigurisë publike.
“Akademia e Sigurisë ka një status të veçantë për profilin që përfaqëson. Falë këtij institucioni po përgatitet një kategori e re profesionistësh, të cilët do të jenë nesër pjesë e rëndësishme e institucioneve arsimore dhe të sigurisë”, u shpreh ajo.
Ministrja vlerësoi punën e efektivëve të rinj dhe kontributin e tyre në shërbim të qytetarëve, por edhe rolin për sigurinë në shkolla, duke theksuar se prania e tyre rrit ndjeshëm sigurinë, parandalimin dhe cilësinë e shërbimit në komunitet.
“Kur jemi të sigurt dhe të qetë, punojmë më mirë në çdo sektor. Prania juaj ka sjellë më shumë komunikim, parandalim dhe siguri. Një shkollë e sigurt është kusht për një shoqëri të emancipuar. Ju sot jeni fytyra e shtetit”, deklaroi ajo. /j.p/