E Martë, 3 Nëntor 2026

PEKIN – Kina i kundërpërgjigjet SHBA-së: Tarifat për mallrat amerikane do të rriten në 84%

PEKIN, 9 prill /ATSH/- Kina i ka kundërshtuar sërish politikat tarifore të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke rritur taksat e saj për importet amerikane në më shumë se 80%, sipas “CNBC News”.

“Tarifat për mallrat amerikane që hyjnë në Kinë do të rriten në 84% nga 34% që ishin – duke filluar nga 10 prilli”, sipas një njoftimi të Zyrës së Komisionit të Tarifave të Këshillit të Shtetit në Kinë.

Rritja e tarifave vjen si një përgjigje ndaj rritjes së fundit të tarifave të SHBA-së për mallrat kineze – në më shumë se 100% – që hyn në fuqi sot në mesnatë.

Përshkallëzimi i tarifave kërcënon të dëmtojë tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë në SHBA, Amerika eksportoi 143,5 miliardë dollarë mallra në Kinë në vitin 2024 – dhe importoi produkte me vlerë 438,9 miliardë dollarë.

Administrata Trump njoftoi politikën e re tarifore gjithëpërfshirëse javën e kaluar, duke paralajmëruar vendet e tjera që të mos hakmerreshin.

Disa vende, përfshirë Japoninë, janë shfaqur të gatshme për të negociuar mbi tarifat, por Kina duket se po mban një qëndrim më të ashpër – duke iu përgjigjur SHBA-së me kundërtarifa.

Pas përgjigjes fillestare të Kinës ndaj vendosjes së tarifave të 2 prillit, Trump njoftoi tarifa shtesë prej 50%, duke e çuar totalin e taksave të importit për mallrat kineze në 104%.

“Është për të ardhur keq që kinezët në të vërtetë nuk duan të vijnë dhe të negociojnë, pasi ata janë shkelësit më të këqij në sistemin e tregtisë ndërkombëtare”, tha sot sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent për “Fox Business” – pas njoftimit të fundit të Kinës.

“Ata kanë ekonominë më të çekuilibruar në historinë e botës moderne dhe mund t’ju them se ky përshkallëzim është një humbje për ta”, tha Bessent.

Lufta tregtare ka trembur investitorët në mbarë botën – duke rritur shanset për një rritje më të ngadaltë ekonomike, inflacion më të lartë dhe fitime më të ulëta të korporatave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›