E Martë, 3 Nëntor 2026

KINË – Pekini: Pretendimi i Ukrainës se shtetasit kinezë po luftojnë për Rusinë, krejtësisht i pabazuar

PEKIN, 9 prill /ATSH/- Pretendimi i Ukrainës se një numër i konsiderueshëm shtetasish kinezë po luftojnë përkrah ushtrisë ruse është krejtësisht i pabazuar, tha sot një zyrtar i Pekinit, sipas AP.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi dje se ushtria ukrainase kishte kapur dy ushtarë kinezë që luftonin së bashku me ushtrinë ruse në rajonin lindor të Donetskut.

Kjo është hera e parë që Ukraina bën një pretendim të tillë për ushtarët kinezë në territorin e saj mes të pushtimit pothuajse tre-vjeçar të Rusisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian tha se Pekini kishte luajtur një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës.

Lin tha sot në një konferencë për shtyp se qeveria kineze u kërkonte gjithmonë qytetarëve kinezë të qëndronin larg zonave të konfliktit, të shmangnin përfshirjen në çdo formë konflikti të armatosur – dhe veçanërisht të përmbaheshin nga pjesëmarrja në operacionet ushtarake të ndonjë pale.

Kina ka ofruar mbështetje të fortë diplomatike për Rusinë që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë ndaj fqinjit të saj në shkurt 2022.

Pekini ka ofruar gjithashtu një ndihmë ekonomike përmes tregtisë së energjisë dhe mallrave të konsumit, por nuk i ka ofruar Rusisë me vetëdije trupa, armë apo ekspertizë ushtarake.

Kina parashtroi një plan “të paqartë” paqeje që u hodh poshtë nga shumica e vëzhguesve.

Më herët, Ukraina dhe SHBA-ja thanë se mijëra trupa të Koresë së Veriut kishin ndihmuar Rusinë sipas një marrëveshjeje midis Kremlinit dhe qeverisë në Phenian.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë lejuar ushtarët e huaj të regjistrohen.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce tha dje në një konferencë për shtyp në Uashington – se SHBA-ja ishte “e vetëdijshme” për raportet se shtetasit kinezë që luftonin në emër të Rusisë ishin kapur në Ukrainë – dhe se kjo ishte “shqetësuese”.

Kina siguron gati 80% të artikujve me përdorim të dyfishtë që i duhen Rusisë për të mbështetur luftën, pohoi ajo.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përshkallëzuar vitet e fundit mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë dhe konkurrencën gjeopolitike.

Kremlini ka refuzuar në mënyrë efektive propozimin e SHBA-së për një ndalesë të menjëhershme dhe të plotë 30-ditore të luftimeve në Ukrainë.

Qeveria e Kievit e ka pranuar këtë. Të dyja palët besohet se janë duke përgatitur fushatat ushtarake pranverë-verë.

Ndërkohë, të dy vendet kanë vazhduar luftimet përgjatë vijës së frontit afërsisht 1000 kilometra (620 milje) dhe kanë shënjestruar njëra-tjetrën me sulme me rreze të gjatë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›