E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE miraton tarifat e para hakmarrëse ndaj importeve të SHBA

BRUKSEL, 9 prill /ATSH-DPA/ – Shtetet anëtare të BE miratuan sot tarifat fillestare hakmarrëse prej 10% deri në 25% për importet amerikane, të cilat Komisioni Evropian thotë se do të zbatohen javën e ardhshme.

Kjo përfshin taksa të veçanta për artikuj të tillë si xhinset dhe motoçikletat nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa uiski i prodhuar në SHBA dhe pije të tjera alkoolike u hoqën nga lista e propozuar e komisionit.

Kundërtarifa të tjera do të vendosen në mes të majit dhe në fund të vitit, duke prekur produktet duke përfshirë mishin e viçit, shpendët dhe frutat agrume si portokallet ose grejpfrutet.

Tarifa shtesë për arrat dhe sojën janë planifikuar për në fillim të dhjetorit.

Tarifat e miratuara sot janë në përgjigje të tarifave amerikane për importet e çelikut dhe aluminit të vendosura rreth një muaj më parë.

Sipas llogaritjeve të BE-së, masat e SHBA-së ndikojnë në eksportet me vlerë 26 miliardë euro (28,8 miliardë dollarë).

Masat e vendosura nga Brukseli synojnë mallra me vlerë rreth 21 miliardë euro, sipas burimeve të BE-së.

BE-ja ka theksuar preferencën e saj për negociata sesa përshkallëzimin e mosmarrëveshjes tregtare.

Puna është ende duke u zhvilluar për një paketë të mëtejshme masash në përgjigje të tarifave për makinat dhe pothuajse të gjitha eksportet e tjera të BE-së në SHBA të shpallura së fundmi nga presidenti Donald Trump.

Politika tarifore e Trump synon të korrigjojë mosbalancimet e pretenduara tregtare dhe të zhvendosë prodhimin në Shtetet e Bashkuara, duke kompensuar pjesërisht uljet e taksave të premtuara gjatë fushatës së tij zgjedhore./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›