E Martë, 3 Nëntor 2026

PEKIN – Kina vendos tarifa të reja mbi importet amerikane

PEKIN, 4 mars /ATSH-DPA/ – Kina reagoi sot kundër rritjes së tarifave nga SHBA duke shpallur tarifa të reja për importet kryesore bujqësore dhe duke vendosur kufizime shtesë për kompanitë amerikane.

Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se duke filluar nga 10 marsi, Kina do të vendosë një tarifë 15% për pulat, grurin, misrin dhe pambukun e importuar nga Shtetet e Bashkuara.

Produktet e tjera bujqësore, duke përfshirë sojën, mishin e derrit dhe viçit, do t’i nënshtrohen një takse shtesë prej 10%.

Kina paralajmëroi gjithashtu se më shumë kompani amerikane do të shtohen në listën e saj të subjekteve jo të besueshme, duke çuar potencialisht në kufizime ose ndalime të plota për të bërë biznes në Kinë.

Lëvizja vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump lëshoi ​​një urdhër ekzekutiv, duke dyfishuar tarifat për importet kineze nga 10% në 20%.

Shtëpia e Bardhë e justifikoi rritjen duke vënë në dukje kontrabandën e vazhdueshme të fentanilit kinez.

Ndërkohë, tarifat për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja gjithashtu hynë në fuqi sot, sipas raporteve nga mediet amerikane.

“Presidenti Donald J. Trump po vazhdon me zbatimin e tarifave ndaj Kanadasë dhe Meksikës”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të lëshuar mbrëmjen e djeshme, pak para se tarifat të hynin në fuqi në mesnatë (05:00 GMT).

Tarifat prej 25% për importet nga Kanaja dhe Meksika shënojnë një përshkallëzim të mprehtë të tensioneve tregtare, duke rritur frikën për një luftë tregtare në Amerikën e Veriut me pasoja të paparashikueshme për ekonominë globale.

Lajmi shkaktoi rënie të tregjeve financiare./  /i.s/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›