E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

OTAVA – Edhe Kanadaja u kundërpërgjigjet tarifave të reja të Trumpit

OTAVA, 4 mars /ATSH-DPA/ – Kanadaja i është përgjigjur tarifave të reja amerikane që hynë sot në fuqi duke vendosur masa hakmarrëse ndaj importeve nga Shtetet e Bashkuara duke nxitur kështu frikën e një lufte tregtare globale.

“Tarifat e reja amerikane për mallrat nga Meksika, Kanadaja dhe Kina hynë në fuqi sot”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Uashingtoni vendosi një tarifë importi prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe rriti tarifat për produktet kineze nga 10% në 20%.

Disa orë përpara se tarifat e SHBA të hynin në fuqi, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Kanadaja do të vendoste tarifa përkatëse prej 25% për deri në 155 miliardë dollarë kanadezë (107 miliardë dollarë amerikanë) importe nga Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni do të vazhdonte me tarifat.

Një deklaratë nga presidentja meksikane Claudia Sheinbaum pritet më vonë.

Tarifat ndëshkuese për importet kanadeze dhe meksikane shënojnë një përshkallëzim të mprehtë të tensioneve tregtare, duke rritur frikën e një lufte tregtare të Amerikës së Veriut me pasoja të paparashikueshme për ekonominë globale.

Njoftimi bëri që tregjet e aksioneve të bien.

Në fillim të shkurtit, Shtëpia e Bardhë tha se tarifat ishin në përgjigje të Kanadasë, Meksikës dhe Kinës që lejuan hyrjen e drogave të paligjshme në SHBA.

Trump më pas ra dakord të shtyjë kufizimet e planifikuara tregtare për të paktën 30 ditë pasi Meksika dhe Kanadaja bënë lëshime, veçanërisht në lidhje me sigurinë kufitare./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›