E Diel, 1 Nëntor 2026

PEKIN – Putin mbërrin në Kinë për samitin me Xi

PEKIN, 19 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti sot në Kinë për bisedime me homologun e tij, Xi Jinping, në një vizitë që synon të tregojë se partneriteti mes dy vendeve mbetet i palëkundur, vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Pekin.

Putin dhe Xi pritet të diskutojnë mënyrat për forcimin e partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Kinës, si dhe çështje kryesore ndërkombëtare dhe rajonale.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, ndërsa Moska është përballur me izolim diplomatik dhe sanksione nga Perëndimi.

Një nga temat kryesore të takimit mund të jetë projekti i gazsjellësit “Power of Siberia 2”, i cili do të transportonte gaz natyror rus drejt Kinës përmes Mongolisë.

Rusia e konsideron këtë projekt jetik për zgjerimin e eksporteve energjetike drejt tregut kinez.

Në prag të vizitës, Xi dhe Putin shkëmbyen mesazhe urimi me rastin e 30-vjetorit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Në një mesazh video drejtuar popullit kinez, presidenti Putin deklaroi se marrëdhëniet ruso-kineze kanë arritur “një nivel vërtet të paprecedentë” dhe se tregtia dypalëshe vazhdon të rritet.

Ai theksoi se marrëdhënia strategjike mes Moskës dhe Pekinit luan një rol stabilizues në botë dhe synon paqen dhe prosperitetin global, pa u drejtuar kundër ndonjë vendi të tretë.

Analistët vlerësojnë se Putin dëshiron të tregojë se lidhjet me Kinën nuk janë prekur nga afrimi i fundit diplomatik mes Pekinit dhe Uashingtonit. Sipas ekspertëve, ndryshe nga marrëdhëniet shpesh të paqëndrueshme mes Kinës dhe SHBA-së, Pekini dhe Moska i konsiderojnë lidhjet e tyre më të qëndrueshme dhe të bazuara në interesa afatgjata.

Pritet gjithashtu që Xi t’i japë Putinit hollçësra mbi takimin e tij me Trumpin, i cili nuk prodhoi ndonjë marrëveshje të rëndësishme për çështje si lufta në Ukrainë apo tensionet globale.

Energjia mbetet një nga shtyllat kryesore të bashkëpunimit.

Rusia mbështetet gjithnjë e më shumë te tregu kinez për shitjen e naftës dhe gazit, ndërsa Kina kërkon burime të sigurta energjie për të mbështetur ekonominë e saj.

Ekspertët parashikojnë se zgjerimi i bashkëpunimit energjetik do të jetë ndër temat qendrore të bisedimeve mes dy liderëve.

Në fund të takimit, Xi Jinping dhe Vladimir Putin pritet të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët që do të konfirmojë thellimin e partneritetit strategjik mes Kinës dhe Rusisë./ /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›