PIKTURË – “Number 7A, 1948” e Pollock shitet për 181 milionë dollarë

NJU JORK, 19 maj /ATSH/ – Një vepër e piktorit amerikan Jackson Pollock, e cilësuar si një nga “pikturat e para vërtet abstrakte” në histori, është shitur në ankand për 181 milionë dollarë (rreth 135 milionë paund) në Nju Jork, sipas BBC.
Vepra “Number 7A, 1948”, e cila u nxor dje në ankand nga shtëpia prestigjioze e ankandeve “Christie’s”, theu rekordin e mëparshëm për çmimin më të lartë të arritur ndonjëherë në ankand nga një vepër e Pollockut.
Sipas ARTnews, piktura, që vinte nga koleksioni privat i manjatit të medias S. I. Newhouse, renditet tashmë si vepra e katërt më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.
Në të njëjtin koleksion u shit edhe skulptura prej bronzi “Danaide” e artistit rumun Constantin Brancuși, për 107,6 milionë dollarë, duke u bërë skulptura e dytë më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.
Pollock, i cili vdiq në vitin 1956, ishte një figurë qendrore e lëvizjes së ekspresionizmit abstrakt. Teknika e tij e famshme e hedhjes dhe pikimit të bojës mbi kanavacë mbetet një nga stilet më të dallueshme dhe më të imituara në botën e artit.
Rekordi i mëparshëm në ankand për një vepër të Pollockut ishte 61,2 milionë dollarë për pikturën “Number 17, 1951”, e shitur në vitin 2021, megjithëse disa nga veprat e tij janë shitur për shuma edhe më të larta në transaksione private.
Sipas Christie’s, “Number 7A, 1948”, që paraqet rrjedhje të zeza boje me nuanca të kuqe mbi një kanavacë gjigante më shumë se tre metra të gjatë, përbën një moment kyç në historinë e artit.
“Me këtë vepër, Pollock çlirohet përfundimisht nga kufizimet e pikturës tradicionale në kavalet dhe krijon një nga pikturat e para vërtet abstrakte në historinë e artit”, thuhet në përshkrimin e ankandit.
Në ankandin e “Christie’s” u shitën edhe vepra të artistëve Mark Rothko dhe Joan Miro, të cilat gjithashtu vendosën rekorde të reja çmimesh për punimet e tyre në ankande./ /Ad.Ab./ a.jor.