PIKTURË – Kafshët që simbolizojnë dhimbjen dhe pasionin në autoportretet e Frida Kahlos

LONDËR, 26 qershor /ATSH/- Një kolibër, një majmun merimangë, një mace e zezë dhe pilivesa – simbolika shtazore në një nga pikturat më ikonike të vitit 1940, zbërthen traumën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën sfiduese të artistes meksikane, shkruan BBC.
Superylli meksikan i pikturës, Frida Kahlo, u shndërrua në një ikonë botërore pas vdekjes së saj në vitin 1954, në moshën 47-vjeçare, dhe sot mbetet një figurë e pandashme e kulturës bashkëkohore.
Imagjinari i saj – i guximshëm, sensual, i drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht jashtëzakonisht i ndërlikuar – vazhdon të frymëzojë artistë e aktivistë modernë, duke u shndërruar edhe në një simbol të konsumit kulturor.
Jeta e trazuar e Kahlo – nga aksidenti shkatërrues që e la me pasoja të përhershme, te martesa e vështirë me muralistin Diego Rivera dhe lidhjet e shumta dashurore – pasqyrohet qartë në autoportretet e saj të fuqishme.
Ajo e revolucionarizoi këtë zhanër, duke e kthyer autoportretin nga një pozë formale, në një shprehje të lirë emocionale, ku bashkëjetojnë bukuria pa komplekse, trauma e papërpunuar dhe dëshira sfiduese.
Nga 55 autoportretet e saj, shumica përfshijnë kafshë – një dashuri e hershme dhe e vazhdueshme e artistes.
Në qendër të ekspozitës së re në galerine e artit në Londër, “Tate Modern”, “Frida: The Making of an Icon” (Frida: Krijimi i një Ikone), qëndron vepra e vitit 1940 “Autoportret me gjerdan gjembash dhe kolibër”, një nga kryeveprat e saj më të njohura.
Në këtë pikturë të ngarkuar me simbolikë, çdo detaj hap një dritare drejt botës së brendshme të Kahlo.
Përmes figurave të kafshëve dhe elementeve natyrore, zbulohet një univers i pasur me dhimbje, forcë dhe pasion, por edhe lidhja e saj e thellë me kafshët, që e shoqëronin në jetën e përditshme.
Sfondi i dendur me gjelbërim tropikal krijon një atmosferë të nxehtë e të gjallë, ndërsa kafshët përreth saj – macja me sy të shndritshëm dhe qimen e ngritur, majmuni me shikim lozonjar – e bëjnë skenën edhe më të ngarkuar emocionalisht.
Vetë Kahlo paraqitet me fytyrë të qetë, por të tensionuar, me shenja gjaku që rrjedhin nga gjerdani me gjemba.
Kjo vepër u krijua në një moment dramatik të jetës së saj, pas divorcit nga Rivera (me të cilin do të rimartohej më vonë) dhe në fund të lidhjes me fotografin amerikan, Nickolas Muray.
Simbolika e kafshëve
Në qendër të veprës, Kahlo mban një kolibër të pajetë rreth qafës – një simbol që lidhet me lirinë, por edhe me mitologjinë azteke të luftës.
Mbi shpatullën e saj ndodhet majmuni i saj i përkëdhelur, një dhuratë nga Rivera, i cili tërheq zinxhirin me gjemba, duke i shkaktuar gjakderdhje.
Në anën tjetër shfaqet një mace e zezë, e errët dhe kërcënuese, si një qenie e heshtur, që pret të sulmojë.
Sipas kuratorëve të galerisë “Tate Modern”, vështrimi i drejtpërdrejtë i Kahlo ndaj shikuesit është i veçantë – jo sfidues, por i pathyeshëm dhe pa frikë.
Kolibri, sipas traditës, mund të jetë edhe një hajmali për dashurinë e humbur, ndërsa forma e tij, i ngjan vetullës së saj të famshme të bashkuar, duke krijuar një dialog mes simbolit dhe identitetit.
Majmuni përfaqëson dhimbjen emocionale, ndërsa macja – sipas interpretimit të kuratorëve – mund të shihet si një mbrojtës i heshtur, por edhe si një prani e rrezikut të afërt.
Pilivesat dhe fluturat mbi skenë, të lidhura me kulturën indigjene meksikane, simbolizojnë rilindjen shpirtërore dhe magjinë e transformimit.
Kafshët në veprën e Kahlo, nuk janë vetëm dekorative. Ato lidhen drejtpërdrejt me jetën e saj në “Casa Azul”, shtëpinë ku u rrit dhe ku kaloi periudha të gjata sëmundjeje dhe izolimi.
Ajo jetoi e rrethuar nga kafshë të ndryshme – majmunë, qen meksikanë pa qime, zogj e madje edhe një kaproll – të cilat shpesh shndërroheshin në personazhe të pikturave të saj.
Midis dhimbjes dhe forcës
Në shumë prej veprave të saj, Kahlo e paraqet veten pranë kafshëve, duke i shkrirë kufijtë mes njeriut dhe natyrës.
Në disa raste, ato shfaqen si simbole të traumës, në të tjera si figura mbrojtëse apo shoqëruese shpirtërore.
Ajo vetë ka deklaruar se nuk pikturonte ëndrra, por realitetin e saj të brendshëm.
Kjo e bën përdorimin e kafshëve edhe më domethënës – ato nuk janë fantazi, por pjesë e jetës së saj emocionale dhe fizike.
Edhe pse shpesh interpretohen si “ekzotike” apo surrealiste, këto figura shtazore e bëjnë artin e saj më të prekshëm dhe njerëzor.
Ato flasin për vetminë, për dashurinë, për dhimbjen dhe për rezistencën e një gruaje që jetoi mes kufijve të trupit të thyer dhe shpirtit të pakëputur.
Në fund të jetës, pavarësisht vuajtjeve ekstreme dhe amputimit të këmbës, Kahlo shkruante: “Për çfarë më duhen këmbët kur kam krahë për të fluturuar?”
Dhe pikërisht kjo ndjesi e qëndrueshmërisë dhe jetës që nuk dorëzohet, vazhdon ta bëjë artin e saj të pavdekshëm. //a.i/