BM – Vala e të nxehtit ka vënë disa spitale në gjendje emergjence

LONDËR, 26 qershor /ATSH-ANSA/ – Vala e jashtëzakonshme e të nxehtit që ka goditur Mbretërinë e Bashkuar së bashku me pjesën tjetër të Evropës e ka vënë Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS) në krizë, me disa spitale të detyruara të shpallin gjendje të jashtëzakonshme (incident kritik) për shkak të ndikimit të temperaturave të larta në ofrimin e shërbimeve.
Spitali Mbretëror Devon dhe Exeter njoftoi masën për shkak të “natyrës së përhapur të efekteve që nxehtësia dhe lagështia ekstreme po kanë në aftësinë tonë për të ofruar shërbime”, ndërsa në Spitalin Queen Alexandra në Portsmouth, disa njësi frigoriferike dështuan për shkak të temperaturave të larta, duke kompromentuar sistemet dixhitale dhe shërbimet klinike.
Në Uells, Bordi Shëndetësor i Universitetit Aneurin Bevan shpalli gjendje të jashtëzakonshme pasi nuk ishte në gjendje të kujdesej në mënyrë të sigurt për pacientët në repartet pa ajër të kondicionuar në disa objekte, dhe makinat MRI ndaluan së punuari në Spitalin Universitar Norfolk dhe Norwich.
Dje, NHS shpalli gjendje të përgjithshme të jashtëzakonshme, ndërsa shërbimi i ambulancës së Londrës regjistroi një numër rekord të lartë thirrjesh për njerëz në kushte kërcënuese për jetën për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë.
Ndërkohë, një alarm i kuq është në fuqi për të tretën ditë radhazi për shkak të temperaturave rekord: dje pasdite u regjistrua një rekord prej 36.7 gradësh për muajin qershor. /os/