PL: Me programin tonë nuk do të ketë më pension nën 200 euro

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha sot se PL pjesë e Aleancës Për Shqipërinë Madhështore do të realizojë rritje të mirëqenies për pensionistët dhe familjet e varfra përmes programit të saj shumë konkret.
Në një deklaratë për mediet, Haxhiu nënvizoi se “pas 11 majit do të dyfishohen pagat e mësuesve dhe të mjekëve”.
“Brenda një mandati qeverisës do të rriten pagat dhe pensionet mbi nivelin e mesatares së rajonit. Edhe pse çmimet janë rritur me ritme të larta, pensionet përgjatë qeverisjes rilindase nuk janë indeksuar. Partia e Lirisë nesër në qeveri ju jep garancinë se do të paguajë kompensimin e pathënë si rezultat i mosindeksimit të rreth 45 miliardë lekëve që do të shpërndahen tek pensionistët, si dhe indeksim të vazhdueshëm vjetor”, u shpreh Haxhiu.
Sipas Haxhiut pensionistët “nuk do ta shpenzojnë më pensionin e tyre për të blerë ilaçet e parimbursuara, sepse do të ketë rimbursim të plotë të ilaçeve dhe do të përmirësohet cilësia e tyre”.
“Rritja e pensionit minimal në nivelin 50% të pagës minimale. Pra nuk do të ketë pension nën 200 euro”, tha Haxhiu.
“Programi ynë për të rritur pensionet dhe rimbursuar ilaçet është i mirëmenduar dhe i llogaritur nga ekspertë të ekonomisë dhe financës. Ai do të realizohet nga sigurimi i të ardhurave për investime dhe politika sociale”, u shpreh Haxhiu.
/r.e//a.f/