E Martë, 3 Nëntor 2026

Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Çuçi: S’mund ta pengojnë Reformën Zgjedhore dhe as jetën parlamentare

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka reaguar pasi deputetët e opozitë, mbështetës të Ish-kryeministrit Sali Berisha,  bënë të pamundur zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, që ishte e para pas gati 2 vitesh.

Çuçi dënoi sjelljen e opozitës, teksa shton se mazhoranca nuk do të lejojë pengimin e Refromës Zgjedhore dhe as jetën parlamentare.

“Pyetja ‘me kë të flasësh’ mori përgjigje më qartë se kurrë sot. Me ata të revolucionit të karrigeve që përsërisin skenat e dhunës sa tek selia e tyre e sa në Kuvend nga njëra anë, apo me ata që edhe kur thërrasin vetë Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk paraqiten në mbledhje? Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë përveçse zhyten më keq në krizën ku kanë rënë prej vulës së humbur dhe sikletit me drejtësinë e re, nuk e pengojnë dot as reformën zgjedhore dhe as jetën parlamentare. Gjithsesi shqiptarët janë gjithmonë e më të qarte ne përgjigjen e tyre për Shqipërinë”, thotë Çuçi.

Deputetët e opozitës, mbështetës të Berishës zunë vendet e anëtarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke bërë të pamundur zhvillimin e mbledhjes. Ata kërkojnë largimi e Enkelejd Alibeajt si bashkëkryetar me argumentin se nuk përfaqëson shumicën e opozitarëve dhe zëvendësimin e tij nga Oerd Bylykbashin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›