PL: Të shtohet monitorimi real në shkolla

TIRANË, 13 dhjetor /ASTH/ Partia e Lirisë ngriti sot shqetësimin për sigurinë në shkolla. Përmes një deklarate për mediet sekretarja për Rininë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj, theksoi se siguria në shkolla është themeli i çdo sistemi arsimor.
Për të rritur sigurinë në shkolla, Ibraj nënvizoi më tej se Partia e Lirisë kërkon “prezencë të rritur të psikologëve dhe punonjësve socialë të trajnuar”.
“Sot shume shkolla kanë një psikolog për qindra nxënës, çka e bën të pamundur mbështetjen reale”, tha ajo.
Gjithashtu Ibraj kërkoi që të zhvillohet “komunikim i vazhdueshëm me prindërit”.
“Asnjë rast problemesh emocionale, presioni shoqëror, konfliktesh apo sjelljesh të rrezikshme nuk mund të trajtohet i izoluar nga familja. Shkolla duhet të ndërtojë mekanizma të qartë komunikimi me prindërit, për t’i paraprirë ngjarjeve të rënda dhe për të ndërtuar bashkëpunim të shëndetshëm”, theksoi Ibraj.
Më tej, sipas saj, Partia e Lirisë kërkon “monitorim real në shkolla”.
“Oborret, korridoret, hyrjet dhe daljet e shkollave duhet të jenë të siguruara”, tha ajo.
Gjithashtu, Ibraj nënvizoi se duhet “ndërhyrje emergjente dhe përgjegjësi nga Ministria e Arsimit”.
“Ministria nuk mund të kufizohet në deklarata pas çdo rasti. Duhet strategji, grup pune, protokolle të qarta, staf të shtuar, mbikëqyrje dhe reagim të menjëhershëm kur një shkolle paraqet rrezik”, tha ajo.
/m.q/j.p/r.e/