E Diel, 1 Nëntor 2026

PLL përjashtoi nga partia, reagon Ekrem Spahiu: Sjellje e shëmtuar

UPDATE/ Pas deklaratës së Partisë Lëvizja e Legalitetit se ka përjashtuar nga radhët e saj ish-kryetarin, ka reaguar edhe Ekrem Spahiu, duke akuzuar kreun aktual të PLL, Sulejman Gjanën, për sjellje të shëmtuara.

"Nga 21 nëntori 2013, nuk jam kryetar dhe në asnjë funksion partie përveçse anëtar i Këshillit Kombëtar. Kishte gjithë kohën e duhur për tu promovuar si Kryetar Partie por si duket nuk ia ka arritur dhe do të njihet në opinionin politik, mediatik dhe publik duke u marrë me emrin tim. Një sjellje primitive per ta mishëruar. Tashmë që 31 Degët e PLL i kanë kërkuar dorëheqjen e tij mendon se do të shpëtoj në këtë mënyrë të shëmtuar. Turp!",-thuhet në reagimin e Ekrem Spahiut.

Më herët, Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) njoftoi përjashtimin nga radhët e saj të ish-kryetarit Ekrem Spahiu. Shkak për këtë vendim thotë PLL u bë një lëvizje destabilizuese ndaj kësaj partie që u pasqyrua me një konferencë për shtyp më datë 5 shtator 2015.

Organet drejtuese të PLL kanë analizuar situatën e krijuar dhe kanë konkluduar se këto veprime janë 'jo-statutore, aventureske, dashakeqëse dhe me synim çorientimin e legalistëve dhe opinionit publik'.

"Në të njëjtën kohë dhe po në mënyrë unanime, Senati i PLL vendosi që të përjashtojë nga anëtarësimi në PLL z. Ekrem Spahiu dhe disa protagonistë të kësaj përpjekjeje, me motivacionin "Për shkelje të rënda politike që dëmtojnë rëndë imazhin e partisë Lëvizja e Legalitetit",-thuhet në njoftimin për media.

Në mënyrë unanime thuhet se Senati i PLL e konsideroi këtë lëvizje si një veprim jo-statutor. "Sipas Senatit të PLL, kjo shkelje statutore e ka shumëfishuar rëndësinë e saj sepse protagonistët janë shfaqur edhe mediatikisht duke pasur si qëllim që të dëmtojnë imazhin e PLL dhe të krijojnë idenë e përçarjes brenda saj",-njofton PLL.


Eagle

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›