E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i OSBE, pikënisje për dekriminalizimin e politikës

markuMARK MARKU

Publikimi para disa ditësh nga portali "Lapsi.al" i një raporti "jozyrtar" të OSBE-së, ku përmendeshin aferat korruptive të figurave të rëndësishme të politikës shqiptare, përfshi edhe personalitetet më të larta politike të vendit, si Kryeministri Rama, ish-kryeministri Berisha dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, e ka tronditur jo pak opinionin publik. Ka qenë befasues jo informacioni që raporti përmbante, pasi të dhënat e tij qarkullojnë prej vitesh në opinionin publik shqiptar, por fakti që ky informacion shfaqej në raportin e një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar si OSBE-ja.

Edhe pse zyrtarët e OSBE-së nxituan të deklarojnë se raporti që kishte "rrjedhur" prej zyrave të tij në faqet e shtypit nuk shprehte qëndrimin e kësaj organizate, kjo nuk ndryshon asgjë në vlerën dhe ndikimin që ky raport pati dhe do të ketë në politikën shqiptare. E rëndësishme është se deri tani përfaqësuesit e kësaj organizate nuk e kanë mohuar ekzistencën e këtij raporti, ata thjesht kanë thënë se ai nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të saj.

Qëndrimi ndaj raportit nga palët e atakuara prej tij, tregon se sa i rëndë është ky raport për ta. Eksponentë të lartë të PS-së, madje deputetë shumë të afërt me Kryeministrin Rama, e kanë sulmuar menjëherë OSBE-në, madje kanë shkuar deri aty sa të kërkojnë largimin e kësaj organizate nga Shqipëria. Ish-kryeministri Berisha e ka sulmuar raportin dhe bashkë me të edhe hartuesit e saj me të njëjtën gjuhë, ndërkohë që kryetari i Kuvendit Meta, si përherë, është sjellë "me gjakftohtësi dhe me qetësi". Përveç sulmeve, aktorët e prekur nga raporti i OSBE-së kanë pasur një strategji të relativizimit të tij përmes opinionbërësve në media, duke e konsideruar atë si një përmbledhje akuzash të pabazuara apo thashethemesh.

Pa i hyrë analizës për vërtetësinë apo pavërtetësinë e fakteve të përmendura në raport, duhet pasur parasysh se ai është një raport i hartuar nga një organizatë e rëndësishme ndërkombëtare si OSBE-ja dhe si i tillë nuk ka asnjë arsye që të ketë pasur si qëllim diskreditimin e figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare përmes akuzash dhe shpifjesh të mbledhura në mënyrë të rastësishme nga terreni. Duhet kujtuar se informimi dhe jo dezinformimi është qëllimi i raporteve të tilla.

Është çështje tjetër nëse faktet e paraqitura aty janë të vërtetueshme apo jo si prova fajësie për personat e cituar në raport. Organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e vendeve të huaja nuk funksionojnë si gjykata dhe nuk kanë si qëllim të japin prova të vërtetueshme për fajësinë e personave të implikuar në raport. Ato mbledhin informacion dhe ua përcjellin qeverive të tyre apo institucioneve ndërkombëtare.

Ajo çfarë është e rëndësishme, është se në këtë shkëmbim të fshehtë që përfaqësitë e huaja kanë me qendrat vendimmarrëse rezulton se Kryeministri Rama ka një shumë marramendëse të përfituar nga abuzimi me lejet e ndërtimit që ka dhënë gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak i Tiranës, se familja e ish-kryeministrit Berisha ka përfituar nga pushteti i të atit, se ish-kryeministri dhe kryetari aktual i Kuvendit Meta është aksioner në biznese të ndryshme. Pas tyre vijnë të tjerët: ministra, deputetë e me radhë. E rëndësishme dhe e tmerrshme është se sistemi politik në Shqipëri konsiderohet në raportin e një organizate ndërkombëtare me reputacion si OSBE-ja si një sistem mafioz, në krye të të cilit qëndrojnë krerët e politikës shqiptare.

Do të duhej që, para se t'i shpallin non grata organizatat ndërkombëtare dhe para se të hyjmë në konflikt me aktorë të rëndësishëm të politikës botërore që zbulojnë korrupsionin e sistemit tonë politik, liderët tanë t'u japin llogari qytetarëve se pse ata gjenden në listat e këtyre organizatave si super të korruptuar dhe mafiozë. T'u tregojnë qytetarëve se ku kanë shkuar paratë e taksave të tyre dhe të shteteve që na kanë ndihmuar ekonomikisht në këto 20 vite. T'u shpjegojnë se si e kanë ndërtuar këtë megasistem korrupsioni që po e shkatërron përfundimisht perspektivën e krijimit të një shteti ligjor demokratik në Shqipëri. Me siguri qytetarët shqiptarë ndihen sot më të përfaqësuar nga faktori ndërkombëtar se nga të zgjedhurit e tyre.

Ata e shikojnë këtë faktor si të vetmen shpresë për shembjen e sistemit të korruptuar politik shqiptar. Janë pikërisht liderët e këtij sistemi, Rama, Berisha, Meta dhe të tjerë ata që janë edhe përgjegjësit kryesorë. Raporti i OSSBE-së tregon pikërisht këtë gjë: korrupsioni në Shqipëri është tashmë një sistem dhe të korruptuarit më të mëdhenj janë edhe përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare.

Për shkak të korrupsionit të tyre kanë shkatërruar konkurrencën ekonomike, administratën publike, gjykatat, prokurorinë, kanë shkatërruar konkurrencën politike brenda partive, kanë shkatërruar zgjedhjet dhe më në fund e kanë mbushur Parlamentin me hajdutë rrugaçë dhe kontrabandistë. Tashmë që i kanë nënshtruar të gjithë, kërkojnë të përzënë të vetmen pengesë për ta, të vetmen shpresë për shqiptarët: ndërkombëtarët. Sepse duan të ndërtojnë një Republikë të gjithën për vete.
Duhet një qëndrim krejt tjetër pra ndaj raportit të OSBE-së. Ai duhet marrë si një bazë nga duhet nisur dekriminalizimi i politikës shqiptare: nga kreu.


Eagle

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›