POLONI – Tusk përjashton mundësinë e rikandidimit si president në 2025

VARSHAVË, 24 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjes së tij si president në vitin 2025, pavarësisht zërave se ai do të kandidojë për një mandat të dytë në këtë pozicion.
“Unë e them këtë qartazi: Jo, nuk do të kandidoj në zgjedhjet presidenciale”, tha Tusk për TVP Info dje në mbrëmje.
Tusk, i cili deri në vitin 2019 ishte president i Këshillit Evropian përpara se të kthehej si kryeministër i Polonisë në fund të vitit të kaluar, tha se kishte shumë për të bërë si kreu i qeverisë, saqë disa muaj apo vite nuk do të mjaftonin.
67-vjeçari me origjinë nga Gdansk, ka shërbyer si kryeministër nga viti 2007-2014 dhe është përfolur periodikisht se po mendon për një rikandidim presidencial.
Polonia do të zgjedhë kreun e ri të shtetit në verën e vitit 2025, megjithëse data e saktë nuk është caktuar ende.
Presidenti aktual Andrzej Duda, i cili vjen nga PiS, nuk do të lejohet të kandidojë sërish pas dy mandatesh në detyrë.
Tusk tha se do të ishte i kënaqur të shihte anëtarin e Koalicionit Civil liberal-konservator (PO) dhe kryebashkiakun e Varshavës, Rafal Trzaskowski në garën e vitit të ardhshëm.
Trzaskowski u mposht nga Duda në zgjedhjet e fundit. //a.i/