PORTRET – Mario Draghi bankieri në shërbim të Evropës

BERLIN, 14 maj /ATSH/ – Interesi i Mario Draghit për ekonominë i ka rrënjët në familje, sipas ARD.
Edhe i ati i Mario Draghit ka qenë bankier, dhe punoi ndër të tjera për Bankën Qendrore Italiane.
Kështu, edhe Draghi më pas studioi ekonomi në MIT dhe fitoi përvojë profesionale si profesor ekonomie, më pas në Bankën Botërore, në Ministrinë e Financave, në bankën investuese ”Goldman Sachs” dhe si guvernator i Bankës Qendrore të Italisë.
Mario Draghi ndoqi fillimisht shkollën e Jezuitëve.
Në vitin 2011 erdhi një tjetër hap i madh në karrierë – në krye të Bankës Qendrore Evropiane.
Ishin kohë të vështira: kriza financiare ishte në kulm dhe euroja po lëkundej.
Dhe kështu, e gjithë bota i drejtoi sytë nga Mario Draghi, kur ai në korrik 2012, gjatë një fjalimi në Londër, deklaroi se “brenda mandatit tonë, BQE është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ruajtur euron”.
Fjalia e famshme e Draghit
Deklarata “Whatever it takes” (”Çfarëdo që të duhet”) ishte ajo që solli kthesën e fortë, tregjet financiare u qetësuan. Megjithatë, politika e ulët e interesave e BQE-së nuk u pa me sy të mirë nga të gjithë. Por, Draghi nuk u shqetësua – unioni monetar evropian nuk u shpërbë dhe Italia me borxh të lartë, si dhe vende të tjera të Europës Jugore, kursyen miliarda.
Te bashkëkombësit e tij, Draghi, i lindur në Romë, fitoi respekt të madh.
Por, mbi të gjitha, shumëkush kujton kohën e tij si kryeministër i Italisë, kur vendi ishte ekonomikisht i rrënuar pas një viti pandemie, me shumë viktima për t’u vajtuar, Draghi mori detyrën në fillim të vitit 2021 si një figurë e ardhur nga jashtë politikës, në krye të një qeverie uniteti kombëtar, që synonte ta nxirrte Italinë nga kriza.
Draghi, si kryeministër, i hapi rrugën Italisë për të dalë nga kriza e rëndë. Nga programi i tij i mirëkonceptuar i rindërtimit, i financuar me fonde nga paketa e ndihmës së BE-së për pandeminë, përfiton ende edhe qeveria pasuese e djathtë nën Giorgia Melonin. Megjithatë, ai vetë nuk qëndroi as dy vjet në detyrë – një qeveri e gjerë uniteti kombëtar dhe partitë italiane të përçara nuk funksionuan mirë së bashku.
Çmimi për një europian të bindur
Por Draghi nuk u tërhoq, ai mbeti aktiv dhe përgatiti për Komisionin Evropian një plan per te ardhmen e Evrops. KE i kishte kërkuar ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministrit të Italisë një raport se si BE-ja mund ta ruante konkurrueshmërinë e ekonomisë së saj.
Konkluzioni i tij ishte kritik kur tha se Europa ka ngecur në një strukturë industriale statike.
Ai i paralajmëroi evropianët për një sfide ekzistenciale duke iu referuar konkurrencës nga SHBA-ja dhe Kina.
”Rritja në BE gjatë dy dekadave të fundit ka qenë vazhdimisht më e ngadaltë se ajo e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kina ka bërë përparim të shpejtë”, konstatoi ai, dhe shtoi se, ”një pjesë e madhe e këtij hendeku i atribuohet produktivitetit më të ulët, veçanërisht në sektorin e teknologjisë”.
“EVropa në masë të madhe ka humbur revolucionin digjital të shkaktuar nga interneti dhe rritjet e produktivitetit që lidhen me të”, thuhet në raport.
BE-ja është e dobët në teknologjitë e reja që do të nxisin rritjen e ardhshme.
Vetëm katër nga 50 kompanitë më të mëdha teknologjike në botë janë kompani evropiane.
Nuk është çudi që Mario Draghi nderohet me çmimin prestigjioz për meritat e tij ndaj Evropës dhe Bashkimit Europian.
Mario Draghi është një evropian i bindur. Dhe ndoshta një nga të paktët kryeministra italianë, pr doreheqjen e te cilit, sipas sondazheve, rreth dy të tretat e italianëve do të kishin dashur që ai të vazhdonte. A
i u përcoll atëherë me një duartrokitje të gjatë në parlament. Dhe u përgjigj “faleminderit për këtë – ndonjëherë edhe zemra e një bankieri qendror preket”./ a.jor.