E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: Dorëheqja e anëtarëve socialistë nga KQZ, e papranueshme

18-04-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfriend Martens dënon bojkotin që socialistët po i bëjnë KQZ, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin elektoral dy muaj para zgjedhjeve
Martens: “Mbështesim fuqishëm Sali Berishën - të bindur në fitoren e PD në 23 qershor”

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens dënon bojkotin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve nga anëtarët socialistë, dhe shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha. “Kam ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri që nga largimi i partnerit të vogël të majtë të koalicionit LSI për tu bashkuar me opozitën. Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, KQZ duhet të reflektojë edhe riorganizimin e koalicionit qeveritar”, u shpreh presidenti i PPE.
Presidenti Martens i mëshoi faktit se ruajtja e ekuilibrave brenda KQZ-së, i cili u përcaktua nga marrëveshjet ndërpartiake dhe nga ligjet për zgjedhjet nën ndërmjetësimin e OSBE dhe OSBE/ODIHR dhe që janë implementuar dhe konsoliduar që nga viti 2004 e deri tani, është e një rëndësie të veçantë. “Kjo është e një rëndësie të veçantë për të ruajtur ekuilibrin brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila është përcaktuar në marrëveshjet ndërpartiake dhe ligjet mbi zgjedhjet nën ndërmjetësimin e OSBE-së dhe OSBE/ODIHR-it dhe implementuar dhe konsoliduar nga viti 2004 e deri më sot. Çdo përpjekje për të modifikuar balancën e dakorduar; Katër anëtarë të KQZ, propozohen nga Qeveria dhe 3 nga opozita; është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin elektoral dy muaj para zgjedhjeve. Në këto rrethana, dorëheqja e anëtarëve socialistë të KQZ-së është e papranueshme”, deklaroi kreu i popullorëve Europianë, Martens.
Ai shprehu garancinë e grupimit më të madh politik në Parlamentin Europian, se mbështet fuqishëm kryeministrin Sali Berisha si dhe është i bindur në fitoren e Partisë Demokratike në 23 qershor. “Nuk është nevoja ta them, PPE mbështet fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si dhe është e bindur që zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens.
Partia Popullore Europiane është grupimi më i madh dhe më i fuqishëm politik evropian, e cila aktualisht përfshin 73 parti anëtare nga 40 vende, Presidentët e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian, 13 kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE dhe 6 jo anëtare, 13 anëtarë të Komisioni Europian si dhe është grupimi më i madh në Parlamentin Europian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›