E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: Opozita të respektojë gjykatat

26/03/2010 Konflikti politik në Shqipëri kalon kufijtë dhe transferohet në Parlamentin Evropian

Dy ditë më parë socialistët evropianë i dhanë mbështetje linjës politike të PS-së

Përplasja politike në Shqipëri duket se është transferuar edhe në Parlamentin Evropian (PE). Një ditë pas deklaratës së Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në PE, ku thuhej se mazhoranca shqiptare nuk ka dhënë asnjë përgjigje të kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, ka reaguar dje kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul. Të djathtët evropianë i bënë thirrje Partisë Socialiste t’i japë fund bojkotit të procedurave parlamentare. Duke dalë në kundërshtim me linjën politike të kolegëve të majtë, shefi i eurodeputetëve të PPE-së në mazhorancë thekson se institucioni që përfaqëson cilëson thelbësor zbatimin e ligjit, respektimin e vendimeve të gjykatave, transparencën dhe parimin e ndarjes së pushtetit. “Partia Socialiste duhet të apelojë në gjykatë për të gjitha ankesat që ka. Praktikat bllokuese, protestat dhe kërcënimet për përsëritje të bojkotit dëmtojnë procesin integrues dhe imazhin e shqiptarëve”, ka deklaruar ai. Numri një i grupit të PPE-së vlerëson se Shqipëria është një vend që po bën hapa të mëdhenj përpara për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Madje, ai nënvizon se bojkoti parlamentar dhe akuzat e vazhdueshme po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në BE, “veçanërisht në këtë moment, kur po diskutohen çështje të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave”. Daul deklaron hapur se debatet mbi gjendjen e zgjidhjes së ngërçit politik zhvillohen në Parlament. Duke pohuar këtë fakt, vërtetohet se konflikti politik në vendin tonë ka kapërcyer kufijtë, duke u bërë pjesë e deklaratave të kundërta mes të majtëve dhe të djathtëve në PE. Megjithëse evropianët bashkohen në nevojën e stabilizimit të situatës politike në Shqipëri, në funksion të aspiratës për integrimin në Bashkimin Evropian, shprehen diametralisht kundër në lidhje me gjetjen e zgjidhjes. Socialistët evropiane drejtojnë gishtin ndaj mazhorancës, ndërsa PPE-ja thotë se e vetmja rrugë është ndalimi i bojkotit parlamentar nga ana e opozitës shqiptare. Ndërkohë, kreu i grupit të PPE-ve shprehet se delegacioni për vendet e Evropës Juglindore ka deklaruar qartë se është i impresionuar me progresin e Shqipërisë dhe përmbushjen e kushteve teknike, sa i takon procesit të liberalizimit të vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›