E Shtunë, 31 Tetor 2026

PPE dhe PSE ndahen për fajtorin, bashkohen për zgjidhjen e krizës

Ndryshimet mes amendamenteve të Kukan, Pack dhe Hans Swoboda

Kriza politike në Shqipëri ka arritur të ndajë edhe qëndrimet e europarlamentarëve në lidhje me përgjegjësitë dhe rrugët që palët politike duhet të ndjekin për ta kthyer jetën politike në vend në normalitet. Kjo ndarje vërehet qartë në amendamentet që eurodeputetët e Partive Popullore të djathta dhe ata të Partive Socialdemokrate të Parlamentit Europian kanë bërë në rezolutën e Nikolaos Chountis për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu, eurodeputetët e majtë shprehen të shqetësuar në amendamentet e tyre në lidhje me krizën politike në Shqipëri dhe kërkojnë që qeveria së bashku me opozitën të gjejnë menjëherë një zgjidhje. Kështu, eurodeputeti i Aleancës Socialiste dhe Demokratike, Hans Swodoba në mendimin e tij se të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin. “U kërkojmë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje në lidhje me konfliktin që ka të bëjë me procedurat zgjedhore, duke gjetur kompromis për propozimet reciproke e të gjitha partive”, thekson ai në amendamentin që mban numrin 20. Nga ana tjetër, Sëodoba po në të njëjtin amendim thekson se në rast se palët përsëri nuk arrijnë një kompromis, atëherë një zgjidhje mund të gjendet me ndërmjetësinë e përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. Nga ana tjetër, në amendimet që duan të përfshijnë në rezolutën e Chountis, eurodeputetët e djathtë të Partive Popullore theksojnë se opozita duhet të marrë pjesë vazhdimisht dhe aktivisht në jetën parlamentare dhe të japë kontribut në miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Këtë thekson në eurodeputeti i grupit të PPE-ve, Eduart Kukan. “Ne shprehim shqetësim në lidhje me mungesën e pjesëmarrjes së plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe i bëjmë thirrje opozitës të jetë plotësisht e përfshirë aty, dhe të mos e ndërpresë aktivitetin parlamentar”, thekson Kukan në amendamentin e tij. Po kështu, Doris Pack thekson në një amendament të saj se opozita duhet të miratojë ato ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe janë të rëndësishme në çështjen e integrimit. “Mospjesëmarrja e plotë e opozitës në Parlament ka sjellë edhe vonesë në ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave. Kjo sjell një penalitet të madh për legjislacionin dhe në këtë kuadër është i nevojshëm miratimi i ligjeve të tilla si gjykatat administrative”, thekson Pack. Po kështu, eurodeputetja e djathtë thekson se mes palëve duhet një diskutim i gjerë dhe amendime në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të mos ketë më probleme në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2011. Eduard Kukan dhe Doris Pack në mocionet e tyre për rezolutë përveçse kërkojnë rregullime të disa aspekteve zgjedhore kërkojnë edhe një hetim të shpejtë të shkaktuesve të këtyre parregullsive elektorale. “Ne theksojnë nevojën urgjente për një hetim të shpejtë dhe efektiv të atyre që kanë kryer parregullsitë”, thekson Kukan në amendamentin me numër 23. Sipas tyre, ndonëse zgjedhjet arritën shumicën e standardeve ndërkombëtare ka pasur probleme me transparencën e procesit, presionin dhe trembjen e votuesve, regjistrimin e votuesve dhe monitorimin e numërimit të votave. Por nga ana tjetër ajo që i bashkon eurodeputetët e grupimeve të ndryshme të PE-së lidhet me faktin se kriza duhet zgjidhur dhe se Shqipëria do të vlerësohet për integrimin e saj në bazë të kritereve të Kopenhagës, ku kriteri politik është thelbësor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›