E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj: Rëndësi ka cilësia dhe jo paraja

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë flet për ndryshimet e fundit në arsimin e lartë

Vetëm tri ditë më parë në konferencën e rektorëve, u diskutua mbi çështjet kyçe, që prekin drejtpërdrejt arsimin e lartë në vendin tonë. Diskutimet ishin të fokusuara në dy pika të rëndësishme, të cilat përfshijnë ndryshimet që do të pësojë Ligji i Arsimit të Lartë dhe projekti i reformës për financimin e universiteteve. Debatet në këtë drejtim ishin të shumta, pasi ka edhe nga ata përfaqësues të lartë të arsimit, të cilët mendojnë se njëra prej pikave të propozuara në këtë draft duhet të pezullohet, pasi bie ndesh me ligjet e Kushtetutës së Shqipërisë. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, ka pohuar se ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë për ciklet e studimet duhet të vihen menjëherë në zbatim. Por nga ana tjetër, ai ka kërkuar pezullim të propozimit që ka lidhje me financimin e universiteteve private nga buxheti i shtetit. Në intervistën për “Shqip”, Rrokaj thotë se nuk duhet të nxitohen për miratimin e këtij drafti, sidomos kur për shembull janë marrë modele si ai i Kilit apo Estonisë. “Shembujt, të cilëve duhet t’u referohemi duhet të respektojnë traditën dhe perspektivën e zhvillimit të Shqipërisë, në mënyrë që të mos jetë model i papërshtatshëm për të rinjtë tanë”, tha dekani.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me draftin e fundit të propozuar për ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë?

Nuk do doja të fokusohesha te reforma që kanë të bëjë me financimin e universiteteve private. Ndërsa për sa i përket ciklit të studimit, mendoj se është një reformë që duhet të vihet në zbatim me miratimin e të gjitha palëve politike, pavarësisht ngjyrës së tyre. Menjëherë pas Konferencës së Rektorëve, drafti i propozuar nga qeveria është dërguar në Ministrinë e Arsimit. Gjatë takimit të zhvilluar dy ditë më parë, ne diskutuam gjerë e gjatë mbi pasojat pozitive dhe negative që do të shkaktonte miratimi i këtij drafti. Secili prej nesh propozoi idetë e tij, me synimin për të arritur në një konsensus të përbashkët, pa krijuar ilaritet. Rektori i Universitetit të Tiranës pas disa bisedimesh që realizoi me përfaqësues të qeverisë, kërkoi pezullimin e reformës së financimit të universiteteve private nga buxheti i shtetit, pasi sipas tij, kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Unë mendoj se ndryshimi i ligjit në këtë moment duhet të përqendrohet në ciklin e studimit, i cili parashikon mosekzistencën e diplomës së nivelit të parë dhe të dytë. Kjo është një nga pikat kyçe që duhet të merret menjëherë në konsideratë, pasi edhe studentët që janë diplomuar sipas këtij sistemi kanë shfaqur pakënaqësi. Kjo sepse ata i kanë përfunduar vitet e studimit vetëm me 270 kredite, ndërkohë që për të ndjekur doktoraturën duhet të kesh mbledhur të paktën 300 kredite. Ky është një nga shkaqet që i ka penalizuar ata. Kjo mendoj se është çështja që duhet të diskutohet me shumë kujdes dhe patjetër t’i jepet prioriteti që i takon.

A ka pasur më parë diskutime rreth kësaj çështjeje?

Personalisht mendoj se reformat në arsim kanë ardhur duke u përmirësuar, sidomos që nga viti 2007. Por koha tregoi se propozimet tona në atë kohë duhet të ishin marrë më shumë në konsideratë në mënyrë që të tilla diskutime apo shqetësime të studentëve të evitoheshin. Ne kemi qenë gjithmonë të bindur që ruajtja e autonomisë së universiteteve të jetë në plan të parë, por me kushtin e vetëm që kjo të realizohet nëpërmjet konsensusit të të gjitha palëve politike, në mënyrë që t’i përshtatet strategjisë për zhvillimin e Shqipërisë.

çfarë mendoni për kuponin e “edukimit”?

Kjo ka të bëjë plotësisht me reformën e financimit të universiteteve. Mendoj se në këtë pikë duhet të ndalemi gjatë dhe të mos nxitohemi. Duhet të matemi mirë dhe të jemi të përgjegjshëm, pasi bëhet fjalë që liria mbi vendosjen e tarifave të shkollimit të jetë e barabartë si për universitetet private ashtu edhe për ato publike. Nëse do të vendoset që edhe universitetet shtetërore do të kenë të njëjtën liri si ato private, atëherë shteti do të duhet të mbajë përgjegjësi për kategori sociale të caktuara, që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë shkollimin. E megjithatë, mendoj se nuk i duhet dhënë rëndësi faktit se kush universitet ka më shumë para, por faktit se kush ka më shumë “tru”, funksioni parësor i tij. Lind pyetja, se si do të zgjidhet koncepti i “thithjes” së trurit për ata që nuk kanë mundësi ekonomike? Mos duhet t’ia heqim dimensionin social universiteteve shtetërore për t’i dhënë karakter privat? çfarë janë këto përvoja shtetesh si Kili apo Estonia, të cilat synojmë t’i përshtatim në vendin tonë? Kemi vende të tjera shumë më të përparuara, të cilat ndodhen përreth nesh, nga të cilat mund të përshtatim modele në arsimin e lartë, pasi Kili dhe Estonia nuk lidhen aspak me traditën apo me historinë e vendit tonë.

Ky projektvendim është hartuar nga Prof.ass.dr. Adrian Civici. A mendoni se kjo do të favorizojë Universitetin Europian të Tiranës, në dallim me universitetet e tjera private?

Nuk besoj se rëndësia e kësaj çështjeje qëndron te fakti se kush e ka hartuar apo propozuar këtë draft, sesa në synimin për të arritur një reformë cilësore në arsimin e lartë. çështja është që shembujt që ne duhet të zgjedhim duhet të jenë modele të përgjithësuara rreth nesh. Duhet të respektojnë traditën dhe perspektivën e zhvillimit të Shqipërisë, në mënyrë që të mos jetë model i papërshtatshëm për të rinjtë tanë. Ligji le të kalojë me dy të tretën në Parlament, që reforma të mos kushtëzohet për shkak të rotacionit politik. Arsimi është çështje kombëtare dhe jo e forcave politike. Një strategji formimi universitare duhet të shkojë paralelisht dhe në përputhje me strategjinë afatmesme e afatgjatë të vendit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›