E Diel, 1 Nëntor 2026

PPS kërkon sqarime nga Stefanoviç: Pse ke fshehur kërkesat e BE?

Partia e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka kërkuar nga shefi i deritanishëm i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, të tregojë se përse ka mbajtur fshehur kërkesat e Bashkimit Evropian për Serbinë.

Në deklaratën e Partisë Përparimtare Serbe (PPS) thuhet se “Stefanoviç, me politikën e tij të keqe, ka bërë që Qeveria e re të përballet me mesazhe të tilla nga kreu i Parlamentit Evropian, Martin Shulc”.

Ky i fundit, gjatë takimit të sotëm në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për shtetin serb që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Partia Përparimtare Serbe pyet Borisllav Stefanoviç përse ka fshehur nga qytetarët serbë atë që i kërkohet Serbisë”, thuhet në deklaratën e PPS-së.

Ish-kyrenegociatori serb, Stefanoviç, ka thënë sot se deklarata e Shulcit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për hyrjen e Serbisë në BE, paraqet nisje negative të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së re të Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›