E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR nuk merr mandatin e pretenduar në Shkodër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli sot rreth ores 16:40 rinumërimin e votave të qarkut Shkodër me hapjen e kutive të ZAZ-së 7 dhe 8. Sot ka përfunduar rinumërimi i 417 kutive në total të kësaj zone zgjedhore.

Nga rinumërimi i tetë ZAZ që ka ky qark KQZ nuk janë konstatuar parregullsi apo shkelje që të kenë ndikim në rezultat. Nga rinumërimi PD iu shtuan 78 vota duke e ruajtur mandatin e saj, ndërsa PR nuk arriti të fitonte mandatin e pretenduar. Kësaj partie i duheshin 158 vota për të fituar mandatin në nisje të procesit, ndërsa tani ky rezultat thellohet në 236.

Kutitë e Shkodrës u numëruan në sallën e mbledhjeve të KQZ-së nga tetë grupe, me nga dy anëtarë, ndërsa procesi monitorohet nga përfaqësuesit e partive politike.

KQZ vendosi rinumërimin e votave në Shkodër, pas pranimit të ankesës së Partisë Republikane që kërkonte pavlefshmëri në këtë zonë zgjedhore, duke pretenduar se i është marrë një mandat.

Por, kjo vendimmarrje e KQZ-së u ankimua nga PS në Kolegjin Zgjedhor, i cili, dje vendosi ta shtyjë shqyrtimin me themel të kërkesës në fjalë për më 26 korrik./Indeksonline/.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›