PROJEKTLIGJ “PËR DISA NDRYSHIME E SHTESA NË LIGJIN NR.8402, DATË 10.9.1998, "PER KONTROLLIN DHE DISIPLINIMIN E PUNIMEVE TË NDËRTIMIT”, TË NDRYSHUAR”
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME E SHTESA NË LIGJIN NR.8402, DATË 10.9.1998, “PËR KONTROLLIN DHE DISIPLINIMIN E PUNIMEVE TË NDËRTIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime e shtesa:
Neni 1
Paragrafi i tretë, i nenit 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Mbikëqyrësi i punimeve është i detyruar të kontrollojë dhe është përgjegjës për zbatimin e punimeve të ndërtimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin, kushtet teknike të projektimit dhe të zbatimit, si dhe me destinacionin e objektit. Ai është i detyruar të kontrollojë librin e kantierit dhe është përgjegjës për saktësinë, vërtetësinë e dokumenteve dhe cilësinë e punimeve të ndërtimit.”.
Neni 2
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë vijon:
“Zbatimi i punimeve të ndërtimit kryhet vetëm nga persona juridikë, privatë ose publikë, vendas ose të huaj, të pajisur me licencën përkatëse për zbatim punimesh ndërtimi.”.
b) Fjalia e parë, e paragrafit të dytë, ndryshohet si më poshtë vijon:
“Zbatuesi i punimeve mban përgjegjësi dhe është i detyruar të realizojë punimet e ndërtimit, në përputhje me lejen e ndërtimit, projektin, kushtet teknike të zbatimit dhe rregullat e sigurimit teknik.”.
Neni 3
Pas nenit 9, shtohet neni 9/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 9/1
Zbatuesi i punimeve të ndërtimit ka detyrimin të njoftojë Policinë e Ndërtimit në qark, menjëherë, pas përfundimit të secilës prej fazave të mëposhtme:
- Piketimi i objektit;
- Përfundimi i themeleve;
- Përfundimi i punimeve, në kuotën +/- 0.00;
- Përfundimi i karabinasë.
Policia e Ndërtimit, brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit, konfirmon me procesverbal konstatimi ndërmjet palëve përputhshmërinë e punimeve me lejen e ndërtimit, të miratuar.”.
Neni 4
Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Shkeljet e neneve 4, 5, 6, 7 e 8, të ligjit, kur nuk përbëjnë vepër penale, janë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë.
Shkeljet e neneve 9, 10 e 11, të ligjit, kur nuk përbëjnë vepër penale, janë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
Shkeljet e neneve 12 e 14, të ligjit, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen si kundërvajtje administrative, me gjobë në masën nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
Gjobat vendosen nga kryetari i degës përkatëse të Policisë së Ndërtimit.”.
Neni 5
Pas nenit 17, shtohen nenet 17/1, 17/2 dhe 17/3 me këtë përmbajtje:
“Neni 17/1
Kryerja e punimeve të ndërtimit pa leje ndërtimi përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe me burgim deri në 7 vjet.
Kryerja e punimeve të ndërtimit, me pasojë shtesa në vëllimin ndërtimor, tej lejes së ndërtimit, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë në masën 200 000 (dyqind mijë) lekë dhe me burgim deri në 7 vjet.
Neni 17/2
Vëllimet e realizuara nga kryerja e punimeve të ndërtimit, të klasifikuara vepra penale, sipas nenit 17/1, kur nuk prishen, konfiskohen.
Neni 17/3
Dispozitë përjashtuese
Ky ligj nuk i shtrin efektet mbi ndërtimet, objekt i ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.”.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI