PROTIK, suksesi i formulës 3P, Partneritet Publik-Privat
Inaugurohet PROTIK: Edhe në Shqipëri një qendër Burimore dhe Trajnimesh për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit.
Inaugurimi i ambienteve të qendrës PROTIK, ceremoni që u zhvillua sot në Tiranë, ishte një tjetër hap i rëndësishëm në kuadrin e përgjithshëm të Agjendës Digjitale në Shqipëri. Sot mund të shprehemi krenarë dhe të kënaqur që inagurimi i kësaj qendre u realizua në një kohë relativisht të shkurtër. Vetëm 1 vit më parë, më 24 tetor 2011, u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit, nga Qeveria shqiptare, zyra ime dhe Fondi Amerikan për Zhvillim, si dhe aktorë të tjerë si USAID, Microsoft Albania, Hewlett Packard, Cisco dhe Albtelecom, për të themeluar të parën qendër të burimeve dhe trajnimeve për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Misioni i PROTIK, si nje qendër elitare dhe unike në llojin e saj në vendin tonë, është, ndër të tjera, të veprojë si katalizator në zhvillimin dhe përmirësimin e tregut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri, nëpërmjet formimit të një elite të mirëfilltë vendase në këtë sektor, për zhvillimin e këtij tregu, për rritjen e cilësisë dhe ekspertizës së organizatave private vendase, përmirësimin e shërbimeve të ofruara prej tyre, me qëllim ofrimin e produkteve unike dhe specifike, sipas kërkesës së tregut të brendshëm, por dhe të jashtëm.
PROTIK do të synojë gjithashtu të promovojë inovacionin, sipërmarrjen, duke stimuluar kërkesën për produkte dhe shërbime për TIK, si dhe duke promovuar partnership-et. Dhe ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se promovimi, përmirësimi dhe forcimi i burimeve njerëzore në fushën e teknologjisë së informacionit e komunikimit, por edhe në fusha të tjera, është një prioritet i domosdoshëm, nëse synojmë që kompanitë dhe ekspertët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të vendit tonë të jenë në nivelin e duhur, për të përballuar me sukses kërkesat e një tregu të madh, të hapur dhe tepër konkurrues.
Qendra PROTIK, si një burim njohurish dhe teknologjish për sipërmarrësit, si një platformë informuese dhe rrjetëzuese, pra e networking-ut, ka tre shtylla kryesore në të cilat do të mbështetet për zhvillimin e aktiviteteve të saj, përkatësisht në: edukim dhe trajnim; zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe nxitjen e sipërmarrjes TIK; networking, si dhe ndërtim partneritetesh.
Nëpërmjet këtyre 3 shtyllave, të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën, PROTIK, do të sigurojë infrastrukturën dhe burimet për të ndihmuar sektorin e TIK të përshtatet me zgjidhjet ekzistuese, si dhe me krijimin apo zbatimin e risive, inovacionit, duke përdorur mjete moderne e efikase si dhe metodologji e burime bashkëkohore.
PROTIK gjithashtu është prova e radhës e bashkëpunimit të suksesshëm midis aktorëve të ndryshëm, bazuar në formulën 3P, pra Private-Public- Partnership. Dhe gjej dhe njëherë rastin të falenderoj, për kontributin e rëndësishëm, të gjithë partnerët e aktorët e përfshirë në ngritjen e kësaj qendre.
Qeveria jonë synon që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga teknologjitë e reja, duke u shndërruar kështu në një qendër TIK të mirëfilltë (ICT hub), në rajon por edhe me gjerë, për të nxitur zhvillimin ekonomik, dhe për të konkurruar më së miri me vendet e tjera, në një treg që nuk rresht së zhvilluari. Jam i besimit se PROTIK do të ndihmojë dhe mbështesë përpjekjet tona në realizimin e këtij objektivi kombëtar.
Sigurisht, misioni i PROTIK nuk është as i thjeshtë dhe as afatshkurtër, por as i pamundur. Por jam i sigurt se bashkëpunimi i suksesshëm midis aktorëve të ndryshëm, dëshira për të promovuar një sektor dinamik dhe në zhvillim të përhershëm, do të bëjnë të mundur që, puna që nisi vetëm një vit më parë dhe që u mishërua sot më së miri, nëpërmjet inaugurimit të qendrës moderne dhe unike, në Tiranë, do të jenë faktorët kryesorë në përballimin e sfidave në të ardhmen.
Autori është Ministër për Inovacionin dhe TIK