Një grevë e manipuluar që nuk përfaqëson ish-të përndjekurit politikë
Për cilindo njeri, është mjaft shokuese pamja kur një ish-i burgosur politik përpiqet të vrasë veten dhe aq më keq kur i vë flakën një ish-bashkëvuajtës i tij. Sidomos për ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë është mjaft e dhimbshme. Paradoksi është se ky vetëflijim ndodh pas më shumë se dy dekada nga rënia e komunizmit. Po ndodh pikërisht në ditët vendimtare kur mbarë populli shqiptar, i kudo ndodhur po pret duke mbajtur frymën sihariqin e madh, realizimin e ëndrrës së brezave që dhanë jetën dhe derdhën gjakun për një Shqipëri Demokratike Perëndimore, kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. E të krahasosh në këto momente, sipas deklaratave të këtyre grevistëve, Sali Berishën me Pol Potin e Kamboxhias, do të thotë se këta njerëz grevistë ose i ka lënë mendja, ose janë verbuar nga një urrejtje patologjike e inspiruar dhe nuk dinë se çfarë thonë. Nuk mundet që një vend që drejtohet nga një “Pol Pot” të bëhet pjesë e aleancës më të fuqishme të vendeve demokratike që ka parë deri më sot bota, të jetë anëtar i NATO-s. Mendja më shkon menjëherë se sa shumë kemi vuajtur ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë në diktaturën më të egër komuniste që ka parë bota dhe nuk na shkoi mendja t’i vinim flakën vetes. Kemi parë njerëzit tanë të varur në litarë, na kanë djegur shtëpitë, grabitur pasurinë, kemi mbetur vetëm me rrobat e trupit përjashta në dimrin e egër kallkan, fëmijë të burgosur kemi ngrënë vetëm hithra në kampet e Beratit dhe të Tepelenës, por nuk na ka shkuar mendja të vrisnim veten. Personalisht kam qenë vetëm 2 vjeç në vitin 1945, kur kam provuar burgun komunist së bashku me Nënën time të mjerë, se Babai im luftonte me armë në dorë kundër vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri e Kosovë. Sigurisht na ka mbajtur besimi tek Zoti dhe Demokracia, shpresa se k(ermo)omunizmi do të shembej, ashtu si edhe ndodhi në të vërtetë. Sigurisht shumë të tjerë janë ligështuar. Po të gjykosh një kohë më të afërt, 8 vjet të qeverisjes së tyre socialistët nuk dhanë asnjë lek, asnjë ndihmë për ish-të përndjekurit. Me dhjetëra protesta të mirë organizuara nga shoqatat e ish-të përndjekurve kemi bërë para Parlamentit, Kryeministrisë, Presidentit, por jemi keqtrajtuar, goditur me shkopinj gome dhe arrestuar nga policia. Jemi injoruar nga qeveria socialiste. Kërkush nuk i vuri flakën vetes. As nuk i ka shkuar kujt mendja për një veprim të tillë.
Por tani si mundet të ndodhë kjo vallë? Janë 22 mijë ish-të burgosur dhe të përndjekur politik që presin dëmshpërblimin. A thua vallë vetëm 16 prej tyre përfaqësojnë të gjithë këtë masë njerëzish? A thua vallë këta janë njerëzit më në nevojë ndoshta? Nëse është kështu zgjidhja është fare e lehtë. Të marrin dëmshpërblimin këta dhe të tjerët të presin. Por më rezulton se disa që janë në grevë janë privilegjuar duke privatizuar objekte shtetërore që më pas i kanë shitur me shuma të konsiderueshme, ndërkohë të tjerë nuk kanë përfituar asgjë vetëm presin me durim dëmshpërblimin që me ligj u akordoi Qeveria Demokratike. Ata që po mbushin 20 ditë “që janë pa ngrënë në grevën e urisë”, disa prej tyre janë të punësuar në punë shtetërorë, marrin rrogë dhe nuk janë në atë gjendje që të vetëflijohen. Kanë marrë këstin e parë dhe presin të dytin. Dikush prej tyre ka privatizuar objekte dhjetëra milionëshe dhe i ka shitur duke bërë për një kohë xhiro nëpër Europë si Kont. Njeri prej tyre që bën ëngjëllin tani aty, vallë i kujtohet se ka dëshmuar në hetuesi dhe në gjyq për një njeriun tim, shokun e tij të vuajtjes N.H. në Spaç dhe e ka ridënuar 12 vjet burg të tjera. Miku im vdiq në burgun e Burrelit, nga vuajtjet dhe torturat pa patur mundësi më të shohë dritën e diellit dhe as demokracinë. Dhe fëmijët e tij tani të rritur dhe të edukuar nuk i kanë thënë asnjë fjalë këtij pjesëmarrësi në krim, duke e konsideruar një viktimë të atij sistemi barbar. Me nje fjale ka ëngjëj dhe djaj ne kete grevë. Përse vallë nuk e thonë një fjalë këta njerëz të ngujuar në “grevën e urisë” për qeverinë socialiste që nuk u dha asgjë? Përse vallë shajnë vetëm qeverinë demokratike? Po çfarë kërkon Konfederata e punëtorëve që dihet është levë e Partisë Socialiste në protestën përpara Parlamentit, gjoja po “i dhemb zemra për ish-të përndjekurit politikë”. Derdhin lot krokodili, Edi Rama, Pandeli Majko, Mrikë Kodheli, por edhe Bamir Topi, Kreshnik Spahiu e Spartak Ngjela, vrapuan të mbledhin ndonjë kothere se helbete do të rrjedhë ndonjë votë që të bëhen të paktën deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Arsyeja se çfarë e shtyu ose kush e shtyu ish-të burgosurin politik të bëjë vetëvrasje pikërisht në momentin më kulmor që Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, kjo nuk është një rastësi. Sigurisht kjo është detyrë e organeve kompetente që ta hetojnë krimin që ndodhi dhe bëri xhiron e botës në TV. Po kush ia solli shishen me benzinë atij fatziu aty për të përgatitur vetëvrasjen? Ku ishte komisioni i grevës së urisë që e ka për detyrë të mbrojë grevistët? Janë shumë pyetje që kërkojnë përgjigje. Një gjë është e sigurtë; është një grevë e manipuluar politikisht dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Sigurisht shumë gjëra duheshin të bëheshin më mirë por kjo nuk ishte rruga, nuk është kjo rruga e ish-të përndjekurve për të realizuar të drejtat e tyre të ligjshme. Lugati k(ërmo)komunist po endet nëpër Shqipëri t’i bëjë gjëmën demokracisë. Komunizmi në Shqipëri nuk është mundur. Ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë nuk mundet të manipulohen nga ish-xhelatët e tyre që tani derdhin lot krokodili. Lufta jonë kundër komunizmit nuk ka mbaruar. Ne dimë të dallojmë se kush janë miqtë dhe armiqtë e demokracisë për të cilën kemi lënë rininë tonë kampeve dhe burgjeve të diktaturës komuniste, kemi humbur njerëzit tanë që u pushkatuan mizorisht dhe barbarisht për fjalën e lirë dhe tani nuk po u gjejmë varret. Dhe xhelatët tanë i dinë se ku janë këto varre dhe heshtin. Heshtin dhe qeshin me vuajtjet tona. Janë kapardisur kudo në institucionet shtetërore, në Parlament dhe kudo gjetkë. Por ne jemi fitimtarët. Ne nuk jemi viktimat. Ne kemi fituar mbi ta, se ka fituar demokracia kundër komunizmit. Këto janë metastazat e fundit të k(ërmo)komunizmit. Mbeturinat e tij që bien erë kërmë, që koha do t’i lërë pas.