E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neokomunistët qenkan édhe pronarët e bulevardeve!

11-10-2012 / Nga Kostaq Xoxa

E kemi fjalën për rrugën e gjerë të ngjitjes për të pirë kafen e mëngjesit, në buzë të Liqenit të Tiranës. Ngjitja fillon që nga Garda. Rruga është e shtruar, veçse nuk lejohen, - me të drejtë – makinat. Por ja që na u lejoka diçka tjetër, e ndaluar me ligj. Ajo tjetra është përdorimi i kësaj  rruge e cila quhet, për lezet,  bulevardi e malores së Liqenit. Pyetja e vetvetishme është : A mund të përdoret si pronësi vetjake, kjo rrugë, sido që të quhet, për interesa politikë?
Në të vërtetë, jo vetëm përdoret si pronësi vetjake nga Edi Rama, por edhe si sfond në të cilin mund të zografisin, në dyshemenë e kësaj rruge të shtruar,  sejmenë injorantë. Të shkruajnë njërën nga propagandat më të shëmtuara, me frazeologji djallëzore: Shkruhet me bojë zifti, me shkronja kapitale: PËRNDJEKJA POLITIKE VAZHDON. Secila nga fjalët zë të gjithë gjerësinë e bulevardin malor. Por nuk mjafton me kaq. Pak më sipër, duke u nisur nga Liqeni në drejtim të Gardës, një tjetër parullë, si ato që shkruheshin në kohën e luftës civile, pas prishjes së njëanshme të Konferencës së Mukjes kundër  Ballit Kombëtar, eksponentë të të cilit vlerësoheshin në Konferemcën e Pezës (16 .09. 12) dhe në fillim të Konferencës së Mukjes (fillim i gushtit të 1943-shit), por jo në mbarimin e saj. Sipas kryetarit të delegacionit të n.çlirtimtares, Ymer Dishnica, u zbatuan të gjitha orientimet e dhëna nga Enveri, por pastaj diktatori i ardhshëm, ishte qortuar rëndshëm nga Miladin Popoviçi dhe ua kishte rrasur përgjegjësinë Y. Dishnicës, M. Gjinishit e të tjerëve. Një shënim i dytë: Disa rreshta më sipër kemi përdorur dyfjalëshin “luftë civile”, që i tërbon veteranët dhe historianët e të dy sistemeve. Por ata le t’i kërkojnë llogari Edi Ramës, që e kishte përdorur “luftën civile” në vëllimin e parë të përsiatjeve të tij politike, ndërsa në vëllimin e dytë, “Kurbanin”, i përqafoi me hov revolucionar të gjitha tezat enveriste të veteranëve.
Le t’i kthemi parullës së dytë, në taban të rrugës së bukur për të cilën po shkruajmë: DITA E 12-TË E GREVËS: MALI VAZHDON TË HESHTË. Edhe kjo me shkronja të zeza, skrop të zeza, me secilën fjalë tejetéj gjerësisë së kësaj rruge. Të dyja së bashku, këto shprehje politike në favor të ish-të përndjekurve politikë(!)  mund të zënë një sipërfaqe, syprina e së cilës i kalon të 40 metrat katrorë, mbase edhe 50 m². Sa njëra nga ato kafentë luksoze, ku urdhërohen  nga mentorët e Ramës, ata sikarët që kanë marrë detyrn t ndezin gjakrat duke i nxitur fatkëqijtë që të shndërrojnë grevën nga me kërkesa ekonomike, në grevë politike.
Nëse lexuesit që ndeshen me pohime të tilla skandaloze, ata që nuk i ndjekin shëtitjet në Liqen, i quajnë si të tepruara këto që po lexojnë, le të bëjnë një gjezdisje në këtë rrugë që të shohin, qoftë edhe për kureshtje, se ato që janë shkruar me shkronja kapitale do t’i gjejnë aty, pa lëvizjen e asnjë presjeje, nën këmbët e tyre. Kalimtarët po i shkelin me këmbë (pa dashje) këto marrëzí që bëjnë vaki vetëm në vendin tonë, ku ata që i kanë përbuzur mot e jetë “burgaxhinjtë”, tani po na “dhimbsurohen” e po na shtiren si njerëz me ndjenja të pastra humanitare dhe bëjnë sikur qajnë me lot krokodili. A nuk ishte Gramoz Ruçi, që i priti arbutërisht disa nga ata hallexhinj, që kërkuan disa të drejta gjatë pushtetit të tyre “të mallkuar” tetëvjeçar (mbiemri është i Ramës) , pas asaj gjëme që e sajuan vetë ,- madjé me tre gishtat lart, - në revolucionin (bolshevik) të vonuar, sipas shprehjes së  R. Qoses? – Shkoni e ua kërkoni këto partisë suaj (aluzion për PD-në), - u tha Ruçi. Cili e përgënjeshtroi këtë shigjetim çnjerëzor? Mos, vallë, Edvini?
Në të vërtetë, në intervistat e të ngujuarve, ish-të përndjekurit e quajtën grevën e tyre ekonomike, jopolitike. Politikën, pastaj, e kanë marrë përsipër ustallarët e zullumeve., me në krye arkitektin e lajtmotivit që na ka sakatuar timpanin e veshit, “Na i vodhën votat”. Kur votat numëroheshin dhe ekspozoheshin një për një para syve të të gjithë shikuesve televizivë. Dhe shefi bën sikur nuk i sheh sesi bëhen zgjedhjet “brenda radhëve”, në Sarandë, në forumet e grave, në instancat e larta të PS-së, e në krahina të tjera, ku të zhgënjyer të shumtë janë shprehur publikisht se kanë dhënë dorëheqjen nga PS-ja, për manipulimet e zgjedhjeve të komanduara nga kryetari. të cilin s’e njohin më për të tillë! Dhe njerëzit e kryetarit, të akuzuar për mashtrim, sajesa e për shpifje, bëjnë  lojëra akrobatike, duke mos u paraqitur disa herë rresht, në seancat gjyqësore.  Pasi paralajmërohen për masat e bishtnimit, kërkojnë të jetë i pranishëm ambasadori amerikan! – si në rastin e Ballës. Megalomaní gjer në absurditet, e përvetësuar nga megalomanía e pashërueshme e shefit! - Jo po të jetë i pranishëm edhe presidenti Obama, - tha një qyfyrexhí, që ishte i pranishëm në këtë seancë të njerëzve që kërkojnë të bëjnë protagonizëm në gjyq!
Ambasadori Arvizu duhet ftuar të shohë me sytë e tij sesi është zvetënuar politika nëpërmjet  politizimit të tabanit rrugor, që të kuptojë më thellësisht sesi vepron opozita e Ramës, si në asnjë vend të botës, vetëm e vetëm që ta marrë pushtetin vetjak, duke quajtur të mundur të pamundshmen. Sërish kthehemi tek ato sloganet politike, në trajtë parullash, që po shkelen me këmbë se, përndryshe, njerëzit do të duhej të dilin jashtë rrugës, që të mos i shkelin! Pyesin njëri-tjetrin: Ç’kuptim ka ajo “Mali vazhdon të heshtë?”  Bie daullja në vesh të shurdhët? Ekzekutivi është i pandjeshëm? Mali duhet të jetë kreu i Qeverisë? Pyetjet e ndërkallura janë të shumta. Vetëm njëra është e vetme: “Politika në plan të parë”! E ka thënë Enveri dhe s’e luan topi!
***
Ç’është e vërteta, një e njohura ime sarandiote erdhi në Tiranë dhe ishte në hall se i ati nuk përfitoi dot asnjë këst, sepse kishte vdekur në hetuesí dhe, në dhënien e vendimit gjyqësor, nuk i kishte dalë emri si i dënuar. Ajo kishte mbledhur deklarata të njohurish që dëshmonin se ai kishte vdekur nga torturat, në hetuesi. Deklaratat, siç thoshte ajo, nuk ishin të vlefshme. Kishte raste të shumta që deklaratat, qoftë për pronësinë, qoftë për kompensimet e ish-të përndjekurve, kishin rezultuar të pasakta. Ishin vërtetuar raste kur deklaratat për të bërë një nder miqësie, apo për mitmarrje, - siç i kishin thënë asaj sarandiotes. Mora emrin e babait të saj, vendlindjen, gjeneralitetet dhe gjyqin në të cilin ishte grupi i tij i të pëndjekurve dhe ia paraqita drejtorit të Arkivit të ministrisë së Brendshme, të cilin e njihja prej kohësh. Ai e gjurmoi gjyqin dhe gjeti dokumente të pjesëmarrjes në grupin në të cilin akuzohej, në disa seanca hetuesie ku i ati ishte i pandehur dhe gjeti provën se kishte vdekur në hetuesi. Me këtë dokument ajo kishte marrë këstin e parë. Prandaj janë caktuar rregullat e shpallura për kërkesat, në të cilat procedurat shpesh nuk janë ndjekur si duhet.  Është tjetër gjë dëshira e Edi Ramës që kërkon të implikojë këdo që nuk pajtohet me manovrimet e tij që të jetësojë qëllimet e veta personale, për pushtet në tavolinë, përmes pazaresh e kushtëzimesh bllokuese. Kur mëtimet e tipit “më jep Fierin të të jap, ta zëmë, kryeprokurorin” kjo më jep të të jap, a ka emër tjetër përveç pazarit? Natyrisht disa gabime njerëzore  mund të ndreqen. Por nuk duhet shpresuar asgjë nga ata të cilët, edhe kur kishin pushtetin për tetë vite në dorë, édhe tani në opozitë, nuk kanë bërë dhe nuk kanë dashur të bëjnë asgjë për këtë shtresë të vuajtur nga paraardhësit e tyre. Neokomunistët e Ramës s’mund të jenë veçse demagogë për të mashtruar ish-të përndjekurit politikë, pronarët e ligjshëm dhe popullin që po ndërgjegjësohet gjithmonë e më tepër për mnovrime të padenja, të cilave po u del boja dita-ditës. Është e hidhur e trishtuese që ish-të përndjekurit, ndërsa po mundohen të saktësojnë defektet e tyre dokumentare, një pjesë e vogël e tyre arrin në veprime ekstreme, duke tronditur në ndjenjat njerëzore ata që i duan për vuajtjet e pësuara nga diktatura dhe ushqejnë shpresa prej atyre  që s’kanë bërë, në rrjedhë të kohës, asnjë hap mirëdashjeje për strehim, për shkollim, për punësim. Ndërsa ata që i ndëshkonin barbarisht për një jetë më të të mirë jashtë diktaturës, ata dhe pasardhësit e tyre në shpirtin meskin,  sillen me dashuri të shtirë, për të realizuar qëllimet e mbrapshta  vetjake.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›