PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT TOPI NË CEREMONINË E DHËNIES SË DEKRETEVE ANËTARËVE TË GJYKATËS SË LARTË.

31 korrik 2008
Të nderuar anëtarë të Gjykatës së Lartë,
Të nderuar miq, të ftuar dhe përfaqësues të medias,
Kam kënaqësinë dhe privilegjin, të përshëndes sot ceremoninë e prezantimit zyrtar të gjashtë anëtarëve më të rinj të Gjykatës së Lartë, të këtij organi kushtetues që përbën shkallën më lartë të ushtrimit të pushtetit gjyqësor dhe që njëkohësisht, ushtron brenda tij autoritetin final vendimmarrës në dhënien e drejtësisë.
Në preludin e angazhimit tuaj në këtë detyrë të re, që starton sot dhe do të zgjasë për një mandat 9-vjeçar, pra gati një dekadë, sigurisht që pritshmëritë nga ju janë të larta.
Procesi i përzgjedhjes dhe zgjedhja juaj në këtë detyrë të rëndësishme u shoqërua jo vetëm nga transparenca dhe konsulenca cilësore prej ekspertëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të cilët gjej rastin të shpreh falenderimet më të sinqerta për ndihmën që dhanë, por edhe nga një debat i gjerë politik e institucional dhe një ndjeshmëri e theksuar publike.
Këndvështrimet e ndryshme politike, profesionale, ndoshta edhe personale, dëshmojnë në mënyrë elokuente se çështjet e drejtësisë, e sidomos konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të saj në Shqipëri, janë kthyer në sfida parësore për arritjen e standardeve bashkëkohore të shtetit të së drejtës.
Kriteret e standardet profesionale dhe jo vlerësimet e politizuara e të nxituara, e në ndonjë rast edhe emocionale, duhet të shoqërojnë dhe kurorëzojnë procese të tilla kushtetuese dhe institucionale, duke dhënë një imazh ndërveprimi dhe jo marrëdhëniesh paragjykuese, që mund të përcjellin në mënyrë të pashmangshme efekte negative në opinionin publik dhe në veçanti në komunitetin e gjyqtarëve të interesuar e të angazhuar në rritjen e efektshmërisë, pavarësisë dhe integritetit të pushtetit gjyqësor.
Gjykata është garanti i funksionimit të shtetit ligjor dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Gjykata nuk është e askujt, por njëkohësisht gjykata është e të gjithëve.
Respekti për institucionet e drejtësisë duhet të tregohet jo formalisht, apo nëpërmjet retorikës politike, por nëpërmjet vullnetit të pastërt politik për reforma të gjera e të thella në vazhdimësi, me përgjegjshmëri, vlerësim profesional dhe etikë të komunikimit qytetar, për të prodhuar një imazh të fortë publik për një drejtësi të pakorruptuar, për të cilën jemi të uritur.
Ka një shprehje të vjetër e cila mbetet aktuale e që e konfirmon atë që sapo citova „për një komb, drejtësia është si buka e përditshme, për të cilën ai është gjithmonë i uritur“, që do të thotë se „shoqëria është gjithmonë e vëmendshme ndaj drejtësisë dhe si e tillë, vëzhguese dhe matëse e integritetit që vetë pushteti gjyqësor reflekton“.
Përgjegjësia që ju është besuar, është pashmangshmërisht e ekspozuar ndaj publikut dhe në të njëjtën kohë, - vendimtare në politikën e drejtësisë së shtetit shqiptar.
Veprimtaria juaj profesionale, nëpërmjet objektit të posaçëm që i është ngarkuar Gjykatës së Lartë nga Kushtetuta dhe ligjet, mund të shkaktojë ndjeshmëri të dyfishtë: si tek interesat e mbajtësve më të lartë të pushtetit, ndaj të cilëve kjo Gjykatë ushtron juridiksion fillestar, ashtu edhe tek interesat e qytetarëve, nëpërmjet ushtrimit të juridiksionit rishikues.
Natyrisht, në angazhimin tuaj të përditshëm, standartet profesionale që ju kërkohet të demonstroni, do të përbëjnë së pari një shembull për gjyqtarët e dy niveleve të tjera të sistemit gjyqësor, vendimet e të cilëve ju do të vlerësoni dhe së dyti një shprehje e denjësisë dhe integritetit gjyqësor, të tillë që të meritojnë respektin e çdo subjekti të së drejtës, që çështjen ia ka besuar sistemit të drejtësisë.
Të nderuar anëtarë,
Ardhja juaj në majën piramidale të ushtrimit të pushtetit gjyqësor, përkon me një kohë përfshirjesh në procese integruese të shtetit shqiptar. Në një kohë si kjo, vlera e drejtësisë po nënvizohet gjithnjë e më shumë, si kusht dhe premisë për përfitimin e statusit të një vendi europian jo vetëm në hartë fizike, por edhe në atë politike dhe kur të gjitha institucionet e sektorit të drejtësisë, po dëshmojnë për një shkëputje përfundimtare nga apatia dhe klientelizmat.
Pushteti gjyqësor është një faktor determinues në prezantimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, ndaj mesazhi im ndaj jush sot referon në dy cilësi të padiskutueshme për suksesin e misionit tuaj: dinjitet dhe profesionalizëm.
Nocioni dinjitet kërkon që në punën tuaj të mos lejohen interferenca nga pushtete të tjera dhe as nga emra të përveçëm pushtetarësh, interesat e të cilëve preken apo marrin zgjidhje në Gjykatën e Lartë.
Bekgraundi i larmishën, nga i cili ju vini, nuk duhet të paracaktojë sjelljen tuaj në të ardhmen. Varësia juaj e vërtetë nuk mund të jenë preferencat politike, edhe pse Kuvendi miratoi emrat tuaj, por vetëm nga Kushtetuta dhe ligjet, që përbëjnë garancinë tuaj më të mirë për një karrierë gjyqësore.
Do të pretendoja prej jush veçanërisht profesionalizëm, pasi Gjykata e Lartë, është në një farë mënyre ’’Asambleja Parlamentare’’ e pushtetit gjyqësor, që ’’përligj’’ jurisprudencën shqiptare dhe vulos përfundimisht fatin e komunitetit shqiptar që përplaset nëpër gjykata.
Drejtësia kërkon korrektesë maksimale në harmoninë mes ligjit dhe bindjes së brendshme të gjyqtarit. Tomas Fuller, historian dhe klerik i njohur anglez ka thënë: ’’Drejtësia e ashpër, është padrejtësia më e madhe’’. Të veprosh me profesionalizëm do të thotë të njohësh dhe zbatosh limitet e të drejtës, pasi ’’e drejta’’ nuk ekuivalentohet me ’’ndëshkim’’.
Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë janë gjithashtu ligje për gjykatat e dy niveleve të para, ndaj vendimmarrja juaj duhet të jetë shprehje e një revolucioni të mendimit juridik, ku trajtimi i parimeve jurisprudenciale, të udhëhiqet vetëm nga bindjet profesionale dhe të jetë produkt i debatit juridik, i cili shpesh evoluon vetë konceptet e të drejtës.
Në përfundim të fjalës time dhe pas pothuajse një vit në drejtim të shtetit shqiptar, mund të konkludoj se suksesi i një kauze të drejtë, kërkon patjetër mature dhe vullnet të mirë. Juristët romakë, në themel të drejtësisë kishin vënë mirëbesimin.
Uroj që gjatë ushtrimit të detyrës suaj të justifikoni plotësisht mirëbesimin që ju është dhënë.
Suksese pra në detyrën tuaj fisnike, mjaft të rëndësishme, e cila shikohet si në dritë e syrit nga qytetari i thjeshtë shqiptar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ju faleminderit!