PS, 308 tryeza për bujqësinë, nga një për çdo komunë të vendit
Kryesia e PS e zhvilluar në Libofshë të Fierit, miraton grafikun e zgjedhjeve për kryetar në qarqet Tiranë, Durrës e Lezhë
TIRANË- Partia Socialiste miraton kalendarin e veprimit të saj politik dhe organizativ për gjashtë muajt e ardhshëm. Kryesia rozë, në mbledhjen e saj të radhës, të zhvilluar dje në orët e mbrëmjes në komunën e Libofshës në Fier, ka diskutuar dhe miratuar objektivat e saj politike për muajt në vazhdim, ku natyrisht synon të realizojë procesin e rinovimit të të gjithë drejtuesve të organizatave në të gjithë vendin, si dhe të vijojë deri në hartimin e një programi të ri politik të turit të saj "Dialogut me Shqipërinë". Më konkretisht, anëtarët e kryesisë kanë miratuar grafikun e zgjedhjeve për kryetar organizate fillimisht për tre qarqet e para, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Për këtë qëllim, është përcaktuar dhe grafiku i shpërndarjes së anëtarëve të Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare për zgjedhjet që do të bëhen në organizatat e PS-së. Një tjetër çështje, pjesë e axhendës së djeshme të Kryesisë ishte dhe ajo e raportimit të përfundimeve të fazës së parë të "Dialogut me Shqipërinë" për çështjet e diskutuara deri më tani, kryesisht për energjitikën dhe çështjet sociale. Kështu kryetari i PS-së, Edi Rama ka informuar kryesinë në lidhje me rezultatet paraprake të bashkëbisedimit me qytetarët shqiptarë, si dhe ka kërkuar prej tyre një angazhim edhe më të madh për realizimin e tryezave teknike për këto çështje. Ndërkohë që përsa i përket "Dialogut për Bujqësinë", që u zhvillua gjatë muajit nëntor, socialistët kanë vendosur që të konkretizojnë tryezat për përpunimin e të dhënave, të marra gjatë fazës së parë të dialogut. Për këtë Kryesia ka vendosur të ngrejë plot 308 tryeza, nga një për çdo komunë. Gjithashtu këto tryeza do të monitorohen nga afër edhe nga anëtarët e Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare. Kryesia ka marrë vendim edhe për përfundimin e zgjedhjeve të koordinatorëve në disa zona, si Gramshi, Pogradeci, Kuçova, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të kryetarëve të partisë në komuna dhe bashki, aty ku mungojnë, sipas parimit "një anëtar, një votë". Në analizë është marrë dhe veprimtaria e Fondacionit "Qemal Stafa" për të cilin, pavarësisht vlerësimeve pozitive për nismat e ndërmarra, është kërkuar që fondacioni të furnizojë me më shumë ide PS-në dhe të bëjë më shumë publike veprimtarinë e saj. Pjesë e vendimeve të kryesisë ishte dhe vendimi politik për të shprehur mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në NATO, por me kushtet e vëna nga PS për kryerjen e reformave. Gjithashtu kryesia ka vendosur që të mbështesë kandidimin e PSD, me kandidatin e saj në zgjedhjet për komunën Paskuqan.
Kryetari i PS-së, Edi Rama ka vijuar rrugëtimin e tij "Dialog me Shqipërinë" në Libofshë
Rama: Politika e re, fillon nga respekti për njerëzit
Kryetari i PS-së, Edi Rama ka vijuar rrugëtimin e tij "Dialog me Shqipërinë" në komunën e Libofshës, në rrethin e Fierit, ku dhe ka thirrur dhe mbledhjen e Kryesisë së partisë. Duke përfituar nga ky rast, ai ka zhvilluar një takim me banorët e kësaj komune, ku natyrisht ka diskutuar për çështjet sociale, siç janë varfëria, papunësia, ndihma ekonomike etj. "Kam ardhur së bashku me drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste sepse përveç këtij takimi vendosëm që mbledhjen e Kryesisë së PSSH-së ta zhvillojmë këtu në Libofshë, të gjithë së bashku, në shenjë respekti dhe vëmendjeje të veçantë për këtë komunë dhe për të gjithë komunat e Fierit ku ne dëshirojmë të rikthehemi fitimtarë",- u shpreh Rama, në fillim të fjalës së tij. Duke u ndalur tek problemet konkrete që janë përfshirë në këtë diskutim, kreu socialist ka shprehur keqardhje për gjendjen e rëndë ku jetojnë sot shqiptarët, për të cilën ka akuzuar pikërisht atë që ai e ka cilësuar në vazhdimësi si politika e vjetër. Por nga ana tjetër Rama ka bërë të qartë se pavarësisht kësaj gjendjeje PS, me anë të politikës së re, që është e vendosur të aplikojë edhe në qeverisjen e ardhshme të vendit, është e vendosur ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Për këtë arsye ai ka kërkuar edhe njëherë që të gjithë njerëzit që kërkojnë një Shqipëri ndryshe, pavarësisht bindjeve të tyre politike, të mbështesin politikën e re. "Kjo komunë, ashtu si e gjithë Shqipëria, nuk e meriton këtë qeverisje të paaftë, këtë qeverisje gënjeshtare, këtë qeverisje që nuk mund dhe nuk do të mbajë asnjë premtim, por përkundrazi në mënyrë të pashmangshme do vazhdojë të thellojë plagët e panumërta që janë hapur në mbarë vendin. Plagë që rëndojnë në çdo familje. Plagë të cilat mund t'i shërojë vetëm një politikë e re, që fillon nga respekti për njerëzit, një politikë e re, që fillon nga rrugët e reja të komunikimit me njerëzit, një politikë e re e jetës, e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit",- u shpreh Rama. Ai ka shprehur bindjen se ëndrrat 17-vjeçare të shqiptarëve do të mund të realizohen vetëm duke spostuar nga vendimmarrja politikën e vjetër. "Jam i bindur se gjithçka që nuk është mundur të realizohet dhe që duket shumë larg në Shqipërinë e sotme, është ndër të tjera rezultat i një politike të vjetër, pa zemër për të ndjerë hallet, problemet dhe vuajtjet e njerëzve, pa sy për të parë kushtet në të cilat njerëzit jetojnë anembanë Shqipërisë dhe pa veshë për të dëgjuar ata të cilët kanë shumë për të thënë", - theksoi kryesocialisti Edi Rama.