E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Basha blen vota me qese me miell

TIRANË- Partia Socialiste nëpërmjet deputetes së saj Ledi Shamku ka akuzuar sot kandidatin demokrat për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha se po përpiqet të blejë votat e banorëve të kryeqytetit, duke shpërndarë qese me miell dhe sheqer, ndërkohë që ka sjellë në mendje të publikut se të njëjtën gjë ka bërë vite më parë dhe kryeministri Berisha.

“Ky kandidat dy herë i kërkuar nga drejtësia për vjedhjen e 200 milion eurove dhe për vrasjen e katër shqiptarëve të pafajshëm me 21 janar. Ky Luli i Saliut që firmosi shitjen e detit kur ishte ministër dhe që bridhte nëpër botë me 7 pasaporta tani ka dalë të blejë vota me miell njëlloj si Sali vaktit. Deri dje Saliu bridhte me thasë me miell nëpër fshatrat e këtij vendi të varfër për të blerë vota, ndërsa sot Luli i Saliut rishfaqet po me miell për të blerë votat e Tiranës, por kësaj radhe të ambalazhuara në qeset big market”,- deklaroi Shamku.

Ndërkohë deputetja socialiste ka theksuar faktin se me këtë veprim kandidati demokrat dhe Berisha po fyejnë banorët e kryeqytetit, të cilët kanë jetuar më ndershëmri dhe jo me lëmoshë, si dhe ka akuzuar Lulzim Bashën se nuk i njeh banorët e tij pasi ai nuk ka jetuar në Tiranë duke sjellë ndërmend edhe njëherë pronësinë e 7 pasaportave të huaja nga ish ministri.

“Ti vijë turp, madje shumë turp që i fyen në këtë farë feje Tiranësit duke u rrekur ti blejë nderin me këto qese. Tiranësit nuk kanë jetuar kurrë me lëmoshë as në kohën e Enverit dhe as në kohën e Saliut të Enverit. Tiranësit kanë jetuar gjithmonë falë punës së vet të ndershme , por Luli i Saliut nuk i njeh tiranësit sepse ai në Tiranë ka jetuar vetëm si turist me 7 pasaporta ose si ministër i oborrit të Saliut”,- theksoi deputetja e PS Ledi Shamku.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›