E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Bello: KLSH të hetojë fondet në RTSH

Ne emer te PS-se, deputeti Marko Bello, i kërkoi KLSH te hetoje per shperdorimin e fondeve nga Televizioni shteteror shqiptar. Ai denoncoi gjithashtu edhe njëanshmërinë që ky transmetues publik bën ndaj informacioneve të partive politike, në dëm të opozitës 

TIRANE-Partia Socialiste i ka kërkuar sot Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë shpërdorimin e fondeve në Radio Televizionin Shqiptar. Deputeti Marko Bello, e kërkoi këtë gjatë një konferencë për shtyp duke denoncuar dhe njëanshmërinë që ky transmetues publik bën ndaj informacioneve të partive politike, në dëm të opozitës. “Gjej rastin t'i kërkoj KLSH të nisë menjëherë kontrollin në RTSH, për të davaritur çdo dyshim mbi abuzimet skandaloze me fondet publike dhe pronësinë e saj anembanë vendit, e cila po u jepet operatorëve privatë për 1 Euro”-nënvizoi Bello.

“Operatori i vetëm publik kombëtar po demonstron njëanshmëri të dukshme në favor të partisë në pushtet, në raportin e KKRT për vitin 2008 rezulton qartë se ky shqetësim jo vetëm nuk është marrë në konsideratë, por përkundrazi, njëanshmëria është thelluar deri në atë shkallë sa mund të themi se sot ky ent i rëndësishëm publik është kthyer në një institucion tërësisht partiak”-theksoi Bello për mediat.

Sipas tij, RTSH-ja në vend që të ishte një dritare dinjitoze e kombit, mund të pagëzohet edhe RTJ, “ndërsa Radio Tirana, në vend të togfjalëshit të mirënjohur Ju flet Tirana duket sikur thotë Ju flet Berisha”.

Bello vuri në dukje se RTSH paguhet nga paratë e shqiptarëve ka rënë poshtë edhe nga niveli i lajmit. “Në këtë pasqyrim servil dhe bajat të bëmave të Berishës dhe Topallit, jo vetëm minutazhi është në favor të mazhorancës, por edhe ndërtimi i lajmit, mënyra se si qëmtohet dhe stiset ai, tregojnë se sa poshtë ka rënë niveli i një televizioni, për ekzistencën e të cilit kontribuojnë me paratë e tyre të gjithë shqiptarët”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›