PS: Berisha dështoi me arsimin e lartë, 65% e universiteteve janë të paakredituara
61 ditë larg zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, Partia Socialiste vlerëson se mes 100 dështimeve të qeverisë Berisha është edhe ai me arsimin e lartë.
Deputetja Ledi Shamku tha se në Ditën e Librit, po denoncojmë terrin që po shpërndan injoranca e pushtetit.
Masivizim në dëm të cilësisë. U hapën dyert e universiteteve për arsye elektorale, por nuk u hapën dyert e formimit real dhe sipas nevojave të tregut. Vetëm në fakultetin ekonomik kemi 1 pedagog për 100 studentë, ndërkohë që ky raport duhet të jetë 1 me 18, sipas Kartës të Bolonjës.
Masivizim në dëm të punësimit. Bizneset sot ankohen për mungesë të krahut të kualifikuar të punës. Sali Berisha ka shpërfillur kërkesën e vijuar të bizneseve për harmonizimin mes shkollimit dhe kërkesave të tregut të punës, tha Ledi Shamku.
Shamku tha se Berisha ka dështuar edhe me akreditimin dhe renditjen e universiteteve.
Ajo shtoi se universitetet shqiptare renditen ndër të fundit në botë. Sipas saj, 65 përqind e universiteteve janë të paakredituara.
Në morinë e universiteteve private që janë sot në vend, vetëm 4 prej tyre kanë marrë statusin Universitet. Të tjerat lëshojnë diploma universitare pa qenë universitet. Këtë fakt e kemi denoncuar publikisht dhe është pranuar prej tyre.
Arsimi i lartë është në agoni financiare, me dashje e jo pa qëllim. Kemi raportet më të ulëta në rajon në shpenzime për student dhe ata që vazhdojnë studimet e larta e vuajnë mungesën e klasave, mungesën e laboratorëve, mungesën e bibliotekave, tha Shamku.
Fondi për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin: u premtua që do të rritej deri në 0.6% të PBB. Sot ky fond është 0.02%, praktikisht 0, para qytetarësh të hedhura dëm.
Pedagogët shqiptarë janë e vetmja kategori të cilës në 8 vite rroga nuk i është rritur as edhe një qindarkë.
Sali Berisha miratoi të ashtuquajturën reformë financiare në shkelje të Kushtetutës, duke e kaluar tinzash thjesht me një VKM, për arsyet e veta klienteliste. E ashtuquajtura reformë bën të mundur që paratë e universitetit publik ti shpërndahen universiteteve private, duke dëmtuar kështu cilësinë e arsimit të lartë publik./ep