PS: Berisha e Ristani kanë një skemë për të na nxjerrë shumë fletë votimi të pavlefshme
Socialistët shprehin shqetësim se një skemë manipulimi i votave po vihet në jetë nga kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i KQZ, Arben Ristani, për të deklaruar të pavlefshme shumë fletë votimi.
Kjo është një skemë e qartë manipulative për të nxjerrë sa më shumë vota të pavlefshme. Kjo skemë manipulative është e urdhëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha, Lulzim Basha e Arben Ristani. Edhe pse procesi nuk ka përfunduar, Arben Ristani, ky zyrtar që po vë në rrezik zgjedhjet e Shqipërisë, është në qendër të një strategjie për të nxjerrë fletët e votimit të pavlefshme në zbatim të një urdhri politik të Sali Berishës. Ky njeri po rrënon zgjedhjet në Tiranë, e pse jo në gjithë Shqipërinë.
Mesa duket, më në fund, Lulzim Basha është bindur që ka humbur zgjedhjet në Tiranë, Lulzim Basha ka para syve të tij rezultatet humbëse ndaj po synohet të nxirren sa më shumë fletë të pavlefshme. Ky është problemi i Sali Berishës, dhe përgjegjësia direkte e tij, me të cilën Berisha do përballet drejtpërdrejt e penalisht, tha deputeti i PS, Erion Braçe.
Braçe rezervoi edhe një thirrje për kryetarin e KZAZ në qendrën ku numërohen votat e njësisë 5.
Doja të bëja një thirrje për kryetarin e KZAZ për të pasur kujdes me urdhrat politikë, se urdhrat politikë përballen me drejtësi dhe urdhërdhënësit politikë të lënë në baltë. Të ndalojë procesin e kontestimit të votave, ku është shprehur fare qartë vullneti i zgjedhësve. Ti referohet vetëm ligjit dhe asnjë urdhri politik në momentin që bën vlerësimin e çdo flete votimi që nis e kontestohet politikisht.
Pra, për ti shkuar deri në fund procesit, kërkohet të ndërpritet kjo skemë manipulimi, tha Braçe.