“Zhdoganimi i birrës, kafes, karburanteve dhe më pak i cigareve”
Tendencë/Mallrat me akcizë, Dogana raporton të dhëna në rritje
Shqiptarët nuk heqin dorë nga birra, kafet dhe karburanti. Janë këto mallra që tregojnë për konsumimin në rritje nga ana e qytetarëve shqiptarë, të cilët shtojnë kërkesën për këto produkte nga muaji në muaj. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rezulton, se ne grupin e mallrave me akcize, vetëm cigaret kanë pësuar ulje për muajin qershor, kur produktet e tjera si birra, kafja dhe karburantet janë rritur. Një rritje veçanërisht të madhe e ka birra, kërkesa për të cilën është shtuar së tepërmi në muajin qershor, që lidhet me nisjen e pushimeve. Sipas këtyre të dhënave zyrtare nga Doganat, janë zhdoganuar 3.124 ton birrë, ndërsa një muaj më parë u zhdoganua 1.273 ton birrë.
Po ashtu rritje është shënuar edhe për produktet si kafe dhe karburante. Sipas të dhënave nga Doganat, për gjashtëmujorin janë zhdoganuar plot 175.214 ton karburante, që përbëjnë edhe masën më të madhe të këtyre produkteve, në vendin e dyte është birra me 13,872 ton dhe më pas kafja me 3,538 ton. Kërkesa për karburante ka ardhur gjithmonë në rritje, pavarësisht çmimeve të rritura, konsumatorët shqiptarë nuk kanë hequr asnjëherë dorë nga përdorimi i automjeteve të tyre, duke shtuar në të njëjtën kohë edhe kërkesën për karburant. Taksa e vendosur mbi disa produkte të veçanta apo akciza është një kontribuues i rëndësishëm në të ardhurat e shtetit. Sipas një ndryshimi ligjor, kjo taksë tashmë do të administrohet vetëm nga Doganat, ku qarkullon dhe pjesa më e madhe e produkteve. Më parë akciza për prodhimet vendase administrohej nga Tatimet, duke qenë në këtë mënyrë dy administrata, që menaxhonin të njëjtën taksë.
Produkte të tilla që ne i përdorin në përditshmërinë tonë, si kafe, cigare, karburante, pije alkoolike, parfumeri etj. quhen edhe mallra luksi. Në gjuhën e përditshme inspektorët tatimorë apo ata të doganave i quajnë mallra të forta, çka nënkupton se janë mallra që kanë akcizë të lartë për të paguar, si detyrim nga organeve fiskale.