E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-Berishës: Sqaro aferat me Fazlliç

Tiranë- Partia Socialiste i ka bërë thirrje kreut të qeverisë, Berisha, të ndalojë shantazhet në drejtim të opozitës dhe të sqarojë njëherë e mirë lidhjet me të arrestuarin për afera korruptive, Damir Fazlliç. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi ka kërkuar në emër të forcës politike që përfaqëson, por edhe gjithë shqiptarëve sqarime për 15 çështje që kanë të bëjnë me të arrestuarin e fundjavës së shkuar, Fazlliç.

Dëshminë e Berishës në sallën e Kuvendit, Ruçi e ka quajtur të paqartë, konfuze dhe të rreme. “Dje Sali Berisha nuk doli para shqiptarëve për t’i sqaruar ata, pasi tashmë një gjë e tillë i është bërë e pamundur. Sali Berisha foli dje për të bërë shantazh të hapur publik ndaj opozitës në Sallën e Kuvendit. Ai, pas presioneve të medias dhe opozitës pranoi se e njihte Damir Fazlliç-in, shtetasin serbo-boshnjak që prej shumë vitesh është kryekëshilltar i Partisë Demokratike dhe, prej tre vitesh, edhe i qeverisë së Sali Berishës” - tha Ruçi sot gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, PS-ja nuk tërhiqet përballë shantazheve të përsëritura por kërkon publikisht përgjigjë nga Berisha për një sërë pyetjesh;

- Cili është roli i Damir Fazlliç-it në Kompaninë BG&R dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike?

- Sa është vlera e kontratës midis BG&R dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005?

Në ç’rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri Kompania BG&R ?

- Cili ka qenë roli i Damir Fazlliç gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol?

- Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës?

- Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliç në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare?

- Sa është vlera financiare e tyre, sa prej tyre janë pranuar nga ana e Qeverisë dhe a janë zhvilluar gara për këto projekte?

- Kush dhe cilat kompani kanë qenë përfituese direkt të këtyre projekteve?

- Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tre prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet Lulzim Basha?

- Sa tatime i kanë paguar shtetit shqiptar në 4 vjet këto 5 kompani dhe çfarë projektesh kanë realizuar ato deri tani?

- Kur janë shitur dhe sa është vlera e tatimeve të paguara për shitjen, për tre nga kompanitë e mësipërme?

- Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së kompanive të mësipërme dhe cili është blerësi i tyre ?

- Me cilat Banka janë kryer transaksionet e mësipërme nga ana e Damir Fazlliç-it dhe a i janë nënshtruar këto transaksione ligjit për parandalimin e pastrimit të parave të pista?

- A ka të dhëna Agjencia shtetërore e luftës kundër pastrimit të parave të pista për këto transaksione të shitjes së këtyre Kompanive?

- A i njeh personalisht Sali Berisha pronarët e Kompanisë RUDNAP dhe veprimtarinë e saj në Serbi? Sa tenderë ka fituar kjo Kompani në Shqipëri dhe me ç’vlerë.

- Cili është raporti i kësaj Kompanie me Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes?

Të gjitha këto, sipas Ruçit presin një përgjigje po publike nga Berisha, jo thjesht si detyrim ndaj opozitës, por si detyrim ndaj të gjithë shqiptarëve.

Për Ruçin, është e turpshme që qytetarët e këtij vendi të flenë me ndjenjën se kryeministri i tyre paska për ta dosje të pista, të cilat mund t’i bëjë publike sa herë që nuk do që të bjerë erë pisllëku i vet. Ai ka theksuar se duhet të marrë fund një herë e mirë ky mjet shantazhi që i bën pis të gjithë, ndaj i ka kërkuar Berishës të zbrazë dollapët e fshehtë nga gjitha dosjet tona nëse ke, por mos harro që t’u përgjigjesh shqiptarëve për pyetjet që i janë drejtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›