PS: Brenda shtatorit të vijë plani për infrastrukturën zgjedhore
Bushati: Referendumi është lojë. Berisha të zbatojë kushtet e BE
BLEDAR HOTI
Mazhoranca do referendum? Opozita i kërkon Kryeministrit të sjellë në Kuvend planin për infrastrukturën zgjedhore, në mënyrë që gjithçka të jetë gati e të plotësohet një nga kushtet për marrjen e statusit kandidat nga Bashkimi Europian. Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha dhe mazhorancës që të gjejnë konsensusin në Parlament për çështjen e imunitetit dhe të paketës së opozitës për ndryshimet kushtetuese. Vetëm në këtë mënyrë, sipas opozitës, mund të arrihet që në muajin tetor të ketë një përgjigje pozitive për statusin e vendit kandidat. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, në konferencën për shtyp deklaroi dje: Ne duam të zhvillojmë diskutimet për paketën e propozimeve të opozitës për reformën në drejtësi dhe votimin për imunitetin në Parlament, brenda muajit shtator, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar.
Ne duam të përmbyllim një orë e më parë reformën parlamentare, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar. Pasi vijon të shkelë Kushtetutën dhe rregullat parlamentare, duke mos u ballafaquar me deputetët e opozitës në Parlament, e duke e kthyer këtë të fundit në një shtojcë të qeverisë së tij. Ne duam që brenda muajit shtator Parlamenti të njihet me planin e masave të qeverisë për zbatimin e infrastrukturës zgjedhore, sepse duam ti japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar. Duke ndërmarrë reformat e mësipërme ne do tu dërgonim partnerëve ndërkombëtarë një sinjal serioz, se klasa politike shqiptare të paktën po punon seriozisht për ta merituar statusin. Vizioni dhe veprimi ynë politik janë të provuara. Tani i mbetet Sali Berishës të na provojë nëse e do vërtet integrimin e vendit apo nëse integrimin e sheh thjesht e vetëm si një mundësi për të sulmuar opozitën, theksoi Bushati. Sipas tij, të gjitha energjitë, brenda muajit shtator, duhet të përqendrohen te përmbushja e 12 prioriteteve kryesore të identifikuara nga opinioni i Komisionit Europian për Shqipërinë, të cilat nuk mund të reduktohen thjesht e vetëm te kufizimi i imunitetit. Ndërsa PS-ja shprehet se Berisha po përdor kartën e referendumit për heqjen e imunitetit, për të bërë një betejë ku nuk ka kundërshtarë. Në fakt, çdo shqiptar e ka tanimë të qartë se zelli i Kryeministrit për heqjen e imunitetit dhe referendumin pa kundërshtar është një përpjekje e dëshpëruar për të fajësuar opozitën për korrupsionin e qeverisë e klientëve të saj, e për të darovitur sadopak nga vetja përgjegjësinë historike për dështimet në procesin e integrimit europian. Thirrjet për referendum janë absurde. Referendumi ska kundërshtar, pasi Partia Socialiste e ka deklaruar prerë me fjalë e vepra dhe në mënyrë të përsëritur se është pro kufizimit të imunitetit, pro çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, pro ndarjes së shtetit nga pushteti. Madje, vetë drafti i ndryshimeve kushtetuese për imunitetin, për të cilin diskutohet në thelb, është ai i propozuar nga Partia Socialiste, tha ai. Për Bushatin, për më tepër, kushdo që i njeh sadopak ligjet e këtij vendi dhe ndien përgjegjësi për fatin europian të Shqipërisë, e ka të qartë se nuk ekziston asnjë lloj mundësie që ky referendum pa kundërshtar, për të cilin flet Sali Berisha, të mbahet përpara ditës kur BE-ja vendos për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Për ne socialistët, integrimi europian përbën një objektiv kombëtar. Marrja e statusit të vendit kandidat, në këtë kontekst, është një stacion i rëndësishëm në rrugëtimin tonë europian.
1
Paketa e PS – Opozita ka një paketë për ndryshimin e Kushtetutës. Veç heqjes së imunitetit, PS-ja kërkon që zgjedhja e kryeprokurorit dhe gjyqtarëve të bëhet me shumicë të cilësuar të votave
2
Reforma – Socialistët i mëshojnë realizimit të reformës parlamentare, si një nga kriteret e vendosura nga ana e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat
3
Tetor – Në muajin tetor pritet të jepet opinioni i Komisionit Europian për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat. Për marrjen e saj, Shqipëria ka 12 kushte
4
Zgjedhjet - Kërkesa për sjelljen e planit për infrastrukturën zgjedhore nga ana e opozitës, ka qenë një kundërpërgjigje ndaj propozimit të PS-së për referendumin, në mënyrë që gjithçka të jetë gati
PS: Brenda shtatorit të vijë plani për infrastrukturën zgjedhore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip