E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama bllokatori konstant i integrimit

Gazeta Shqip

Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, si bllokues të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e radhës së qeverisë, Berisha akuzoi Ramën se ka bllokuar ligje të rëndësishëm për plotësimin e kritereve të integrimit. “Ligji për Gjykatën e Lartë është dërguar në Parlament, por është bllokuar nga bllokatori konstant i procesit të integrimit zoti Rama. Sot merr pjesë në internacionalen socialiste, por është njësoj si të merrte pjesë në atë komuniste. Ai i vetmi bllokator në atë forum të nderuar, tha kryeministri, ndërsa nënvizoi se bllokimi i fundit i PS-së ishte në 6 gusht, kur nuk votoi heqjen e imunitetit.

Më tej shefi i qeverisë njoftoi se janë miratuar ligji “Për nëpunësin civil” dhe ai “Për administratën publike” që synojnë konsolidimin më tej të shërbimit civil.

Ndërkohë Berisha njoftoi miratimin e ligjit për shfrytëzimin e integruar të ujërave. “Në këtë mbledhje miratojmë ndërtimin nga privatët të dy hidrocentraleve në Osum. Potencialet energjetike të Shqipërisë po rriten çdo ditë e më shumë”, tha Berisha, i cili theksoi se nga marsi i vitit 2007, deri më sot janë ndërtuar rreth 72 hidrocentrale në të gjithë vendin. “Ujërat janë pasuria më e madhe e këtij kombi dhe vlera e tyre veçse rritet, ndaj dhe ky ligj i jep përgjigje problemeve themelore të kësaj pasurie të madhe kombëtare, shfrytëzimit të saj racional në të gjitha aspektet dhe drejtimeve e përgjegjësive përkatëse në menaxhimin e tyre”, u shpreh Berisha.

29 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Berisha: Rama bllokatori konstant i integrimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›