Zyrtari i lartë i SHBA-së, mision në Tiranë
Philip Reeker, zv.asistent i sekretarit të DASH-it, vizitë në datën 6 shtator
Ylli Pata
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit mbërrin në Tiranë në fillim të shtatorit, ndërkohë që pikërisht kjo periudhë shënon edhe nisjen e një sezoni të vrullshëm politik në vend. Burime qeveritare bënë të ditur se më 6 shtator do të vizitojë zyrtarisht Tiranën, zëvendësasistenti i sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker. Ambasadori Reeker pritet të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe politikanët e opozitës, përkatësisht: Presidentin Buhar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha, si dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Burime pranë qeverisë shqiptare bënë të ditur se zhvillimet më të fundit në vend, si dhe ato të pritshme gjatë vjeshtës, do të jenë në fokus të diskutimeve të zyrtarit të lartë amerikan, i cili pritet të japë një mesazh të rëndësishëm për politikën shqiptare. Zoti Reeker do të bëjë vizitën e parë në Tiranë që prej një viti kur është emëruar në detyrën e tij në DASH, post ku zëvendësoi Thomas Cauntryman.
Zëvendësasistenti i sekretarit të DASH-it, Reeker, prej disa ditësh ndodhet në një vizitë në rajon, ku vetëm pak ditë më parë zhvilloi një tur pesëditor në Maqedoni, në kohën kur vendi u rrezikua nga një krizë qeveritare, por që u shmang në momentin e fundit.
CV
Ambasadori Philip T. Reeker u emërua në postin e zëvendësasistentit të sekretarit të Departamentit të Shtetit më 8 gusht të vitit 2011. Ai drejton zyrën e çështjeve të Europës Jugore e Qendrore dhe është përgjegjës i marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Zoti Reeker shërbeu si ambasador i SHBA-së në Maqedoni nga shtatori 2008 deri në gusht 2011. Nga qershori 2007 deri në qershorin e vitit 2008, ai shërbeu në ambasadën e SHBA-së në Irak, si konsull për çështjet e marrëdhënieve publike. Ai ka qenë dhe zv.shef i misionit të SHBA-së në Budapest nga 2004-a deri në 2007-n.
Për tre vjet, ambasadori Reeker ka punuar në Departamentin e Shtetit si zv.asistent sekretar për marrëdhëniet me publikun.
Në karrierën e tij si zyrtar i shërbimit të jashtëm, ambasadori Reeker punoi si drejtor i marrëdhënieve me median në DASH, ndërkohë që rolin e tij të komunikimit me mediat e ka kryer edhe gjatë punës së tij në ambasadën e Budapestit nga 1993-1996, në Maqedoni nga viti 1997 deri më 1999-n. I lindur në Pensilvani, ambasadori Reeker ka jetuar në SHBA dhe Australi. Ai ka marrë diplomën në Universitetin e Yale më 1986-n dhe masterin për menaxhim ndërkombëtar në Thunderbird School më 1991.
Intervista
Në muajin qershor, zyrtari i lartë i DASH, Philip Reeker, dha një intervistë në Zërin e Amerikës, pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Edhe pse e ka cilësuar Presidentin
Nishani si një mik të SHBA-së, zoti Reeker bëri të ditur se Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit, apo Prokuroria e Përgjithshme, institucione që bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kryerja e kësaj detyre është e rëndësishme për Presidentin dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që ai të punojë nga afër me komunitetin ndërkombëtar, në një kohë që ne mbështesim Shqipërinë për të ardhmen e saj Euroatlantike dhe synimet e saj të integrimit të plotë në familjen Euroatlantike.
Zoti Reeker shtoi se zgjidhja e një presidenti nga një parti ishte një rast i humbur për të treguar një konsensus kombëtar dhe aftësinë për të bërë kompromis. Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis. Kjo, mendoj, është ajo që pret Bashkimi Europian, që pret populli në Shqipëri.
Reeker vjen në Shqipëri në vizitën e tij të parë pas emërimit në postin e lartë në Uashington
Deklarata - Në një intervistë të dhënë në VOA pas zgjedhjes së Nishanit, Reeker theksoi se Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit, apo Prokuroria e Përgjithshme
SHISH - Qëndrimi i parë i ambasadës amerikane pas shkarkimit të Bahri Shaqirit ka qenë shprehje e çudisë për kohën dhe mënyrën e marrjes së vendimit
Prokuroria - SHBA-ja ka bërë të ditur se përkrah pavarësinë e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ka ndihmuar këtë institucion në kryerjen e disa hetimeve
Gjeopolitika - Afrimi i kompanive ruse për privatizimin e kompanisë Albpetrol, që mund të hapë portat e gazit rus në Adriatik, është pritur me shqetësim nga analistë amerikanë
Zyrtari i lartë i SHBA-së, mision në Tiranë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip