E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Deputetja Vokshi përfitoi dy koncesione nga METE

Deputetja Mimi Kodheli u shpreh se tenderat i janë dhënë burrit të deputetes, Arian Tartari, ku në të dyja rastet fituese është nxjerrë kompania Albaenergiaplus e drejtuar prej tij.

“Subjektit Albaenergiaplus i Albana Vokshit, në atë kohë këshilltare për ekonominë e Berishës, i është dhënë me vendim të vetë kryeministrit, bonus prej 1% të pikëve në tenderin për hidrocentralin mbi lumin Kardhiq. Po ashtu, në datën 11 korrik 2007, po me vendim të Kryeministrit Berisha, kompanisë së këshilltares për ekonominë Albana Vokshi, i është dhënë një tjetër bonus në tender, këtë herë plot 10%, për të përfituar sërish një koncesion hidrocentrali, Suha 2”, u shpreh sot deputetja Kodheli.

Sipas saj, këshilltarja e Kryeministrit për ekonominë, sot deputetja e Partisë Demokratike, ka abuzuar me detyrën, duke ushtruar konflikt të hapur interesi, për të përfituar vetë, përmes kompanisë së bashkëshortit, dy koncesione hidrocentralesh. Më tej, PS-ja pretendon se në dyja rastet, tenderi i është dhënë kompanisë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe pa procedura konkurruese.

“Ky është korrupsioni i qeverisë së Berishës. Ndërkohë që shqiptarët mbeten pa punë, pa pensione dhe zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri, një grup shumë i ngushtë shërbëtorësh të Sali Berishës, pasurohen çdo ditë, në mënyrë abuzive dhe në konflikt të hapur interesi”, u shpreh ajo, duke theksuar se në ditët në vijim do të ketë të tjera denoncime për aferat korruptive..

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›