PS: Fshati shqiptar si në mesjetë, ndërsa Berisha riciklon premtimet e tij
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se e ka lënë fshatin shqiptar si në mesjetë.
Sali Berisha më shumë se këdo tjetër, ka gënjyer e ka braktisur fshatin. Mjerimi ka kapluar fshatin shqiptar, ku njerëzit e braktisur nga shteti mundohen të mbijetojnë si në mesjetë.
Njerëzit e punojnë tokën me mjete primitive, shumë pak fermerë shqiptar punojnë me mjete bashkëkohore. Pasi gënjeu katër vjet në çdo premtim për fshatin, me pafytyrësinë më të madhe, edhe në konventën e tij, nuk mori as mundimin që të shpikë gënjeshtra të reja, por ricikloi fjalë për fjalë gënjeshtra të vjetra, tha anëtarja e Kryesisë së PS-së, Milena Harito.
Duke iu referuar Konventës së djeshme të PD-së për bujqësinë, ajo është shprehur se Berisha po riciklon premtimet e 2009-s për fshatin.
Në fjalën e tij të djeshme kishte një premtim të marrë fjalë për fjalë nga fjalimi i tij në Parlament, mbajtur në vitin 2009 gjatë prezantimit të programit qeverisës.
Për ti rifreskuar memorien kryeministrit sklerotik po i kujtojmë sesi të njëjtin premtim të 2009 e rilexoi dje, me moton: zgjedhje të reja gënjeshtra të vjetra.
Në 16 shtator 2009 në fjalën e programit qeverisës tha: Qëllimi i gjithë kësaj është që në vitin 2013 fshatrat e këtij vendi të llamburitin njëlloj si lagjet e qyteteve të Shqipërisë.
Dje në konventë tha: në katër vitet që vijnë, çdo fshat shqiptar do të llamburitë nga dritat, njëlloj si lagjet e qyteteve tona.
Sali Berisha dështoi me çështjen e pronës, çështje e cila ka mbetur e pazgjidhur. Dëshpërimi i fermerëve ka mbërritur në pikën sa dhe ne takimet e stisura me ta, nuk ka vend që të mos ia përmendin, u shpreh Harito.
Shkodër, Lezhë, Korçë, Lushnjë, zonat më prodhuese të vendit mbyten disa herë në vit, duke treguar qartë se edhe ato pak shpenzime, nuk kanë shkuar për infrastrukturën, por në xhepat e klientëve të qeverisë. Shumica e fermave në vend, afërsisht 65% e tyre, nuk arrijnë të shesin prodhimet në tregun shqiptar.
Në programin e vitit 2009, qeveria premtonte dyfishimin e produktit bujqësor, por krahasuar me vitin 2005 ka rënie të numrit të gjedhëve,të të imtave, e derrave, ndërsa numri i deleve është në njëjtin nivel. Për rrjedhojë edhe prodhimi i mishit, qumështit dhe vezëve është në të njëjtin nivel si në vitin 2005, vijoi më tej ajo duke premtuar se PS do të pesëfishojë investimet për zonat rurale. /b.l