PS, Gjiknuri: Tatimorët po kryejnë kontrolle të paligjshme mbi bizneset e vendit

Tiranë, 23 dhjetor NOA Biznesi shqiptar dhe ekonomia që lidhet me të, po ndjen përherë e më shumë trysninë e paligjshme dhe abuzive të organeve policore, qofshin këto të rendit publik, ndërtimit dhe ato tatimore.
Kështu ka deklaruar sot gjatë një dalje para mediave, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i cili shtoi se ditët e fundit organet tatimore kanë filluar një sërë kontrollesh dhe ri-kontrollesh të paligjshme mbi bizneset e vendit, duke i përzgjedhur ato në bazë të interesave politike dhe monopoliste të qeverisë Berisha. Këto veprime po kryhen duke shkelur haptazi ligjin për procedurat tatimore, i cili në nenet 80 dhe 85, në mënyrë shteruese ka përcaktuar se kontrollet tatimore autorizohen vetëm pasi të jetë kryer procedura e analizës së riskut, ndërsa ri-kontrolli tatimor është rreptësisht i ndaluar, përveç rasteve kur fajtore është vetë administrata tatimore apo ka prova për evazion fiskal. Berisha po i përdor këto instrumente të administratës fiskale për të larë hesapet politike me bizneset legjitime dhe shumëvjecare, që në fantazinë e shfrenuar të Sali Berishës rezultojnë të jenë punisto-mafioze tha deputeti socialist. k.k/NOA