E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Huamarrja e brendshme kërcënon ekonominë

Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, pohoi sot në një konferencë shtypi se qeveria po financon rritjen e pagave dhe pensioneve duke prekur depozitat e qytetarëve. “Qeveria shqiptare, e cila në gjysmën e parë të këtij viti ka dështuar me mbledhjen e taksave, po merr më tepër se 70 për qind të depozitave të qytetarëve shqiptarë si hua për të mbushur gropën e paaftësisë së saj”, u shpreh Kodheli, duke akuzuar qeverinë se ka gënjyer për rritjen e pensioneve.

“Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës dhe Ridvan Bodes, të heqin dorë sa nuk është vonë nga depozitat dhe kursimet e shqiptarëve”, theksoi Mimi Kodheli. Sipas Partisë Socialiste, huamarrja e brendshme e qeverisë është kryer për të mbuluar krizën, thellimi i së cilës sipas opozitës, mund të çojë ne një skenar të ngjashëm me atë të rënies së skemave piramidale.

“Në rast të një përkeqësimi të situatës financiare të qeverisë, ky veprim do të ishte jo vetëm katastrofa e një kombi, por edhe katastrofa e secilës familje shqiptare, një skenar i frikshëm, që për më tepër, ka ndodhur edhe një herë në këtë vend nën kontrollin e dy zotërinjve të sipërpërmendur”, shtoi Kodheli, duke iu referuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›