E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Imuniteti i deputetit varet nga pavarësia e institucioneve

Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Leskaj, tha se çështja e imunitetit duhet të jetë e lidhur me forcimin e pavarësisë së institucioneve

TIRANË- Partia Socialiste e lidh çështjen e imunitetit të deputetit me forcimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura. Një ditë pas ftesës të demokratëve për të kaluar më konsensus draftin e përgatitur nga selia blu për kufizimin e imunitetit të deputetit, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, ka deklaruar se ajo që ndan PS-në nga mazhoranca janë pikërisht reformat. Për këtë arsye, në një deklarim për mediat, Leskaj theksoi se PS është për reforma që kanë lidhje me sistemin dhe jo për arnime sistematike, duke marrë si shembull tre ligjet e fundit të propozuara nga mazhoranca. “Ajo që na ndan ne nga mazhoranca janë reformat dhe ne jemi për reforma që kanë lidhje me sistemin dhe nuk jemi për arnime sistematike, siç është rasti u fundit i tre ligjeve që janë në proces që janë propozuar nga mazhoranca. Ai që ka të bëjë me prokurorinë, me shërbimin e kontrollit të brendshëm apo me administratën e gjyqësorit, më së shumti janë ligje që nuk sjellin asnjë përmirësim përsa i përket efektivitetit dhe pavarësisë së këtyre institucioneve, përkundrazi, janë propozime të cilat shkojnë kundër qëllimit të mirë që duhet të kenë të dy palët bashkë për të përmirësuar eficiencën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura”,- tha dje Leskaj. Në këto kushte, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së tha se, sa i përket çështjes së imunitetit të përmendur dy ditë më parë edhe nga homologu i saj, Astrit Patozi, PS ka qenë e gatshme për ta kaluar me gjithë opsionet e saj. “Natyrisht, përsa i përket çështjes së imunitetit, që është përmendur dje nga kolegu i grupit të PD, unë dua të them se ne si grup parlamentar i PS-së nuk jemi shprehur asnjëherë kundër, përkundrazi, kemi dhënë edhe opsionet tona. Çështja e imunitetit duhet të jetë e lidhur edhe me forcimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura, në radhë të parë të prokurorisë dhe pavarësisë së gjyqësorit dhe larg tendencës për t’i uzurpuar ato”,- tha ajo. Një tjetër çështje, që duhet të ngrihet nga PD, sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, është lufta kundër korrupsionit apo edhe tragjedia e Gërdecit. “Gjithashtu unë do të dëshiroja që kolegët e PD-së, t'i adresoheshin edhe çështjeve të tjera që ka ngritur në prononcimin e vet Ambasadori i SHBA, çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, me tragjedinë e Gërdecit dhe nuk e di pse hezitojnë ta prekin, çështje që kanë të bëjnë me trafikun e qenieve njerëzore, që sipas deklaratës kemi një kthim mbrapa, apo me çështje të tjera që lidhen me funksionimin e demokracisë në Shqipëri”,- tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›