E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Topalli përgatiti shfaqjen e turpshme

PS fajëson kryeparlamentaren Jozefina Topalli për incidentin e ndodhur

TIRANË- Partia Socialiste fajëson kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për incidentin e ndodhur dje në korridorin e sallës së seancave plenare midis deputetëve socialistë Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa dhe punonjësve të shërbimit të Gardës së Republikës. Nëpërmjet një deklarate të posaçme për mediat, selia rozë ka sqaruar pozicionin e saj dhe të deputetëve të përfshirë në këtë ngjarje aspak të hijshme, duke bërë të ditur se është kryearparlamentarja Topalli ajo që ka përgatitur të gjithë atë shfaqje të turpshme. Partia Socialiste e konsideron veprimin e gardistëve si një provokim që mazhoranca i bën në vazhdimësi opozitës duke përdorur edhe mekanizmat e saj, siç është kësaj here Garda e Republikës. “Duke akuzuar drejtpërdrejtë kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli për nxitjen e incidentit të shkaktuar nga punonjësit e Gardës së Republikës me dy deputetë të saj, Partia Socialiste e konsideron këtë provokim një përpjekje aspak dinjitoze për të penguar shfaqjen e shqetësimit tonë të thellë për mijëra viktimat e skandalit shtetëror të misrit. Partia Socialiste bën me dije opinionin publik, se nuk ka pasur asnjë reagim të dënueshëm nga ana e dy deputetëve të provokuar”, - shprehet Partia Socialiste në deklaratën e vet. Këto përpjekje, bënë të ditur PS, nuk do t’i pengojë socialistët që të vazhdojnë të denoncojnë të gjitha ato raste ku korrupsioni i qeveritarëve rëndon mbi qytetarët e thjeshtë, siç është edhe rasti i skandalit me misrin “shterp”. “Partia Socialiste rikërkon nga spikerja e Kuvendit që të mos vazhdojë të sillet harbutërisht me Kuvendin e me deputetët e tij dhe nga kryeministri Berisha, që të mos vazhdojë të shpërfillë dramën familjare të mijëra shqiptarëve të mashtruar, jo vetëm nga kompania që u ka shitur farën e skaduar, po edhe nga qeveria që ka dhënë garanci për farën mashtruese”,- përfundon deklarata e socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›