Aneta Rama: Unë nuk e fal Sali Berishën
ANETA
Nëna e Edi Ramës nuk pranoi pajtimin dje në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar dënimin e kryeministrit për "shpifje"
Kreu i qeverisë akuzohet për fyerje dhe shpifje nga foltorja e Kuvendit. Gjykata nis procesin
TIRANË- Zgjati vetëm 20 minuta, seanca gjyqësore në ngarkim të kryeministrit Sali Berisha i paditur për "shpifje" nga znj.Aneta Rama nëna e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në seancën e parë gjykata ofroi mundësinë e pajtimit mes dy palëve por Aneta Rama pohoi nëpërmjet avokatit se nuk e fal kryeministrin për ato që ka thënë në Kuvend. Në këto kushte gjykata urdhëroi nisjen e procesit ndërsa avokatja që mbron Sali Berishën kërkoi kohë që të njihet me dokumentet.
Seanca
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, që njihet sipas Kodit të Procedurës si seancë pajtimi, mbrojtësi ligjor i paditëses znj.Rama avokat Arian Salati parashtroi para pesëshes gjykuese të Gjykatës së Lartë të kryesuar nga gjyqtarja Evjeni Sinoimeri, se klientja e saj nuk heq dorë nga padia penale, duke kërkuar gjykimin.
"Që nga dorëzimi i kërkesë padisë penale më datë 18 dhjetor 2009 nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë që ne të heqim dorë nga padia, duke kërkuar gjykimin e çështjes, pasi ne nuk pranojmë pajtimin"- tha avokati Salati duke konfirmuar edhe pozitën e paditëses Rama.
Pas komunikimit të këtij fakti, seanca gjyqësore vazhdoi me leximin e padisë penale nga avokati. Sipas tyre, kryeministri Berisha në fjalimin e datës 26 nëntor 2009 të mbajtur në Kuvendin e Republikës ka shpifur në adresë të znj.
Rama dhe familjes së saj. Pas leximit të padisë, përfaqësuesja ligjore e kryeministrit Berisha avokatja Erinda Ballanca, pasi dëgjoi edhe qëndrimin e palës paditëse që refuzoi pajtimin kërkoi nga Gjykata e Lartë t'i japë kohë për të përgatitur prapësimet për padinë.
Trupi gjykues pesë anëtarësh, me relator Evjeni Sinoimerin dhe anëtarët Ardian Nuni, Ardian Dvorani, Andi Çeliku dhe Irma Bala, vendosën të ndërpresin seancën gjyqësore për ta vazhduar në orën 10:00 të datës 12 prill. Pas mbylljes së seancës gjyqësore, avokatët firmosën procesverbalet përkatëse për t'u larguan më pas nga ambientet e Gjykatës së Lartë vetëm 20 minuta pasi kishin mbërritur aty.
Padia
Sipas kërkesës për gjykim të datës 18 dhjetor 2009, Aneta Rama kërkon nga Gjykata e Lartë të marrë në gjykim kryeministrin Sali Berisha duke akuzuar atë për kryerjen veprës penale të shpifjes të kryer botërisht nga foltorja e Kuvendit të Republikës.
Nëpërmjet padisë, nëna e kryesocialistit kërkon një dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar me anë të këtyre shpifjeve. "Vepra e mësipërme është konsumuar në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë fjalës së mbajtur prej të akuzuarit prej meje në seancën plenare të datës 26 nëntor 2009.
Në këtë seancë, Berisha bën thirrje që unë të dal e t'iu tregoj shqiptarëve se djalin tim Edi Rama, e paskam kuruar për 10 vjet nga sëmundja e skizofrenisë. Si dhe shpif duke përhapur thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit". Kështu thuhet në padinë penale të dorëzuar dhe që po shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.
"Me këto deklarata të trilluara nga kryeministri Berisha, ky i fundit synon që të ulë dinjitetin tim si nënë para syve të mbarë opinionit publik sepse, sipas Berishës, megjithëse e ndërgjegjshme për sëmundjen e tim biri, e cila në fakt është absolutisht një trillim i njeriut, unë nuk paskam as kurajën dhe as sinqeritetin që t'ua bëj atë të ditur shqiptarëve, me gjithë përgjegjësinë që kam ndaj tyre si qytetare dhe si nënë shqiptare"- thekson nëna e kreut të Socialistëve Aneta Rama në padinë e saj.
Të gjithë këto fakte të trilluara nga kryeministri, sipas znj.Rama, janë të pavërteta dhe shpifje që synojnë të zhvleftësojnë para opinionit publik personalitetin e paditëses të krijuar, sipas saj, me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. "Këto "fakte" janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit"-nënvizon znj.Rama në kërkesë padi.
CITIM znj.Rama
Në rastin e parë kërkon të më paraqesë para opinionit publik si një grua të pasinqertë dhe të papërgjegjshme për fatin e bashkëqytetarëve të saj. Kurse në rastin e dytë, i akuzuari synon të njëjtin qëllim, por në kontekstin e një nëne pa dinjitet, të cilën i biri e flak për leckash në rrugë.
Në të dyja rastet, qëllimi kriminal i Sali Berishës shkon në drejtimin e paracaktuar nga mendësia e tij për të diskredituar publikisht jo vetëm kundërshtarin e tij politik, por edhe njerëzit e afërt të familjes.
CITIM BERISHËS
"Tani do t'i them zonjës: kam shumë respekt për ty po do ishte në nderin tënd dhe të integritetit tënd që t'u tregosh shqiptarëve që e ke mjekuar djalin tënd 10 vjet për skizofreni! ... dil me kurajë si nënë shqiptare dhe thuaju të vërtetën, e ngrihu mbi sentimentet e një djali që të ka nxjerrë me lecka, nga shtëpia e tij, me rroba gjumi në pazar."
PROVAT
- Në kopje elektronike dhe të printuar fjalën e të akuzuarit prej meje zotit Berisha, mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë në datën 26.11.2009.
- Kopje të gazetave të mëposhtme, të cilat kanë pasqyruar fjalën e Z. Berisha në Kuvendin e Shqipërisë të datës 27.11.2009:
- Gazeta "Rilindja Demokratike",
- "Gazeta Shqiptare"
- Gazeta "Panorama",
- Gazeta "Korrieri",
- Gazeta "Shekulli"
Berisha flet për operacionin e tij, dhe sulmon Ramën
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha është marrë sërish dje me jetën e kundërshtarit të tij politik, Edi Rama. Kryeministri pranoi faktin se ai kishte kryer një operacion në shpinën e këmbës së tij para disa ditësh, por theksoi se transmetimi i këtij lajmi është bërë me ndikimin e kreut të opozitës Edi Rama për të cilin, Berisha nuk harroi të mos i përmendë operacionet, që sipas tij, ka kryer.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike që ai drejton, Berisha numëroi njëra pas tjetrës ndërhyrjet mjekësore, që sipas tij ka kryer lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama.
"Operacionet janë për njerëzit dhe njeriu kur ka nevojë do të operohet në këmbë, në dorë, në kokë, në zemër, në bark. Nuk mund të mos them se janë disa operacione të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrosh t'i bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë.
Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë",- tha dje Berisha. Ai kërkoi Ramës që të mos ndikojë mediat me anë të mesazheve për të transmetuar lajme të tilla.
"Ndaj edhe unë dua t'i them mos i helmo me ato mesazhe celularët e gazetarëve, sepse siç e vutë re, vetëm njëri e kishte besuar, se ka besim të verbër nuk kam çfarë t'i bëj, ku thoshte se edhe kamerat nuk e marrin, se ka bërë një operacion në fytyrë", - u shpreh Kryeministri.