E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Jo numërimit elektronik në Fier, testi dështoi

Bledar Hoti

Socialistët depozitojnë në KQZ argumentet se pse nuk besojnë te teknologjia e aplikuar më 13 prill

BLEDAR HOTI

testi i votimit elektronikPartia Socialiste e konsideron të dështuar nismën e KQZ-së për të realizuar numërimin e pjesshëm elektronik në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit. Një raport prej 11 faqesh është depozituar pranë KQZ-së nga ana e Partisë Socialiste, e cila jep në detaje dhe arsyet se pse testimi i kryer më 13 prill mund të cilësohet si i tillw, pasi për tetë orë u numëruan 5 mijë vota. Raporti që mban firmën e sekretarit të çështjes zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, e cilëson si të papranueshme aplikimin e procesit të numërimit me këtë sistem të ofruar nga kompania spanjolle INDRA.

Prova e parë nuk ka bindur PS-në, e cila në këtë raport kërkon një provë tjetër paraprake, përpara se të vendoset në mënyrë përfundimtare. Gazeta Shqip ka siguruar raportin e plotë dhe po boton pjesët më të rëndësishme të saj.

Raporti

Është e rëndësishme të theksojmë se përgjatë të gjithë kohës së zhvillimit të provave nga ora 10:00 deri në orën 18:00, të paktën 4 persona të kompanisë me laptop ishin të lidhur në të njëjtin rrjet me serverin dhe të dy linjat e numërimit, nuk mund të verifikohej se cili është motivi, por verbalisht na u komunikua se ata ishin aty, sepse ishin duke punuar! Kemi të drejtë të besojmë se ndërkohë që po zhvilloheshin provat, është plotësisht e mundur që sistemi që po provohej të jetë ndryshuar apo modifikuar. Këtë e përforcon dhe fakti se në të paktën tri raste kur ngecte operatori i kontrollit të procesit, personeli i kompanisë mundej lirshëm të operonte në kompjuterin e kontrollit të skanimit apo regjistrimit. Lehtësisht mund të kuptohej se operatorët për provë nuk ishin të trajnuar dhe që për fat të keq vëzhguesit nuk kishin mundësinë të shikonin çfarë veprimesh kryheshin.

Mospërmbushja e detyrimeve ligjore

Procedura e ndjekur gjatë testimit nuk ndoqi pothuajse fare hapat e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ku si më të rëndësishëm mund të përmendim: radha e numërimit të QV-ve, tabela e rezultatit nuk iu dorëzua subjekteve fare atë ditë. Nuk u bë verifikimi i saktësisë se SEN në vendin e numërimit (verifikimi a posteriori), në përputhje me Seksionin 5 të Shtojcës II të Kodit Zgjedhor. SEN nuk provoi se garanton kërkesën e pikës 2/c të Seksionit 2 të Shtojcës II të Kodit Zgjedhor që bën fjalë për vlerësimin e fletës së votimit vetëm një herë, pavarësisht nga numri i skanimeve të saj.

Saktësia dhe besueshmëria e sistemit

Nuk u provua se SEN skishte të dhëna të hedhura paraprakisht (mungoi raporti zero). Asnjë nga 5 mijë votat e numëruara elektronikisht nga SEN, nuk u numëruan manualisht për të verifikuar saktësinë e rezultatit të sistemit. Kjo e bën sistemin tërësisht të pabesueshëm. Nuk provoi plotësisht rastet e shprehjes së vullnetit të zgjedhësve, veçanërisht për palosjet dhe dëmtimet e fletës.

Efektiviteti i sistemit

Prova e sistemit të numërimit nuk arriti të demonstrojë efektivisht që përdorimi i teknologjisë do të zvogëlonte kohën e nevojshme të numërimit. Përkundrazi teknologjia dhe zgjidhja e ofruar nga kompania dhe pranuar nga KQZ-ja ishte më e ngadaltë. Në rast se do të merren parasysh faktorë që në mënyrë të qëllimshme kompania nuk pranonte që të testoheshin, si p.sh. palosja e fletës së votimit apo mundësia e një gabimi teknik nga ana e operatorit të skanimit, procesi i numërimit elektronik të ofruar është thuajse i dështuar! Nuk duhet të harrojmë se edhe përgjatë provave nuk u ndoqën procedurat sipas ligjit dhe për më tepër gjykimi manual nga KZAZ-ja, e cila fillimisht ishte në 2 fletë për minutë, arriti në mbi 10 fletë për minutë në fund të provës, diçka që në realitet nuk mund të ndodhë.

Mangësitë në dokumentacion

Nuk na u vunë në dispozicion në afatin kohor që përcakton ligji, dokumentet dhe procesverbalet përkatëse të printimeve pas mbylljes së procesit të skanimit apo tabelave të rezultateve për kutitë e numëruara. Ndërkohë që ligji përcakton: Tabela e rezultatit për kutinë e numëruar printohet menjëherë nga SEN-i në disa kopje e më pas nënshkruhet nga personeli teknik i SEN-it dhe KZAZ-ja e më pas vuloset me vulën e KZAZ-së. Një kopje e tabelës u jepet vëzhguesve të subjekteve zgjedhore apo vëzhguesve të akredituar, ndërsa një kopje administrohet nga sekretari i KZAZ-së. Të dhënat e rezultatit ruhen në sistem dhe transmetohen në rrugë elektronike në KQZ, e cila i publikon menjëherë. Formati i tabelës së rezultatit përcaktohet në aktin normativ të KQZ-së. Mosvënia menjëherë në dispozicion e tabelës së rezultatit për çdo QV është një shkelje e rëndë e ligjit dhe ndikon në transparencën e procesit.

Rekomandime

Në përfundim të vlerësimit që i kemi bërë SEN pas provës së bërë në datë 13 prill 2013, Partia Socialiste rekomandon që: KQZ-ja në bashkëpunim me shoqërinë INDRA që zbaton projektin SEN, të organizojë një provë tjetër, ku të demonstrohet qartësisht se vërejtjet dhe konkluzionet tona të mësipërme gjejnë adresim, si dhe sistemi do të jetë në gjendje që të plotësojë të gjitha kërkesat ligjore dhe të përmbushë qëllimin për të cilën është përzgjedhur. Në rast të kundërt, zgjidhja e ofruar është e papranueshme.

Tabela

-   Gjatë provave u konfirmua se dhe ky komision i KZAZ mori vendime të ndryshme për situata krejtësisht të njëjta, jo vetëm duke krijuar konfuzion, por duke hedhur hije të rënda dyshimi për mënyrën sesi do të funksionojë në realitetin e Fierit, kur përballë KQZ-së, në kushte ideale perfekte pa ngarkesa politike në Tiranë gabon!?

-   Përgjatë provave të datës 13 prill, komisioni i KZAZ-së tregoi një nivel shumë të ulët profesional, duke mos zbatuar detyrimet e Kodit Zgjedhor nëpërmjet shkeljeve të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme.

-   Aktualisht, përgjatë provave të datës 13 prill, në kushte perfekte dhe me fletë votimi, të cilat ishin miratuar nga kompania, paraprakisht u arrit të numëroheshin më pak se 5000 fletë votimi për rreth 8 orë pune me dy linja skanimi dhe ndërrim operatorësh tri herë.

-   Pra, mesatarisht, mund të themi se 16 vetë personel teknik dhe 7 anëtarë të KZAZ-së munden të numëronin më pak se 11 vota për minutë!

-   Duhet të përmendim se në kushte të tjera, 16 operatorët teknikë të kompanisë do të zëvendësoheshin nga 4 tavolina numërimi me 4 numërues secila!

-   Është provuar në realitetin e zgjedhjeve, që vetëm një tavolinë numërimi mundet të përpunojë rreth 400-500 vota në orë, në rastin më të keq 5 tavolina do të numëronin 5×300= 1500 fletë në orë dhe vetëm me dy ndërresa (turne) do të kishin mbaruar numërimin në më pak se gjysmën e kohës që kërkoi procesi elektronik vetëm për 3 orë!

PS: Jo numërimit elektronik në Fier, testi dështoi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›