E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama-Meta firmosin paktin: Do të rikthejmë ekuilibrin në shtet

Fatjona Mejdini

Dule nënshkruan me PS-në. Negociatat me AKZ shtyhen ditën e sotme

Detaje

Deputetët - PS nuk ka pranuar që të vendosë në listën e saj për deputet asnjë nga krerët e partive aleate apo përfaqësues të këtyre forcave politike

Koalicioni - PS po realizon për zgjedhjet e ardhshme koalicionin më të madh jo vetëm të sajin nëpër periudha zgjedhore, por dhe më të madhin në vend gjatë viteve të tranzicionit.

Afatet - Sot, në orën 16.00, është dhe afati i fundit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të regjistruar zyrtarisht dhe koalicionet që do të futen në garën zgjedhore.

Fatjona Mejdini

Meta & RamaPartia Socialiste ka mbyllur dje dy marrëveshje të rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe po vijon negociatat intensive për marrëveshje të reja me peshë elektorale. Koalicioni për një Shqipëri Europiane, pavarësisht llojit të ndryshëm të partive që ka mbledhur në strehën e tij, ka pasur një emërues të përbashkët, atë të mospërfshirjes të asnjë aleati në listat e saj për deputet. Sipari i një dite të ngjeshur në kampin e majtë është hapur me nënshkrimin e marrëveshjes me Vangjel Dulen e partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në selinë e PS-së. Marrëveshja e radhës mes PS dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim e bazuar mbi një kartë parimesh është zgjedhur të nënshkruhet pasdite nga Shkodra, nën një atmosferë të europianizuar si pasojë e firmosjes së saj mes socialistëve europianë të mbledhur për një konferencë rajonale. Gjatë gjithë ditës kanë vijuar negociatat e konsideruara disi të vështira me Aleancën Kuqezi të Kreshnik Spahiut dhe sot në orën 14.00 është përcaktuar dhe afati i fundit për një marrëveshje që me shumë gjasa do të nënshkruhet mes këtyre dy forcave. Sot paradite pritet të firmosen dhe marrëveshjet e PS-së me kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, dhe Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, për të hapur dhe rrugën regjistrimit të plotë të koalicionit.

LSI

Nga qyteti i Shkodrës, pak para se të nënshkruanin marrëveshjen afatgjatë të bashkëpunimit, Edi Rama dhe Ilir Meta theksuan nevojën e bashkimit të të majtëve shqiptarë në emër të integrimit europian. Në praninë e socialistëve europianë, Meta e konsideroi bashkëpunimin me PS si të natyrshëm, solid dhe afatgjatë në kuadër të nevojës urgjente që ka vendi për të ecur drejt integrimit europian. Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gur prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndien përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE, theksoi Meta. Rama deklaroi se marrëveshja mes palëve do tu kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së vendit.

PBDNJ

Detajet e fundit të marrëveshjes mes Ramës dhe Dules u përcaktuan dje në zyrën e kryesocialistit në një takim 40 minutësh që ata zhvilluan. Përmes një shtrëngimi duarsh dhe një deklarate për mediat, dy bashkëpunëtorët politikë theksuan se ata kishin në favor të këtij koalicioni njohjen e mirë që këto dy forca politike kishin. Dule theksoi se ky bashkim vjen në emër të ndarjes së kontributeve dhe rotacionit për të siguruar më shumë shpejtësi në procesin e integrimit. Bashkëpunimi ynë nuk është bashkëpunim që ka filluar rishtazi. Është prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt, se njohim mirë njëri-tjetrin si forca politike, pikat e përbashkëta sikurse dhe vështirësitë që kemi pasur në të shkuarën, theksoi Dule. Ndërsa Rama u shpreh entuziast për arritjen e marrëveshjes.

AKZ

Të gjata dhe herë-herë me tensione kanë qenë negociatat e kreut të PS-së, Rama me drejtuesit e AKZ-së së Kreshnik Spahiut. Por negociatat kanë vijuar pa shkëputje në kuadër të finalizimit të tyre që me shumë gjasa do të ndodhë sot paradite. Ora 14.00 e mesditës është vendosur si afati limit mes këtyre forcave për nënshkrimin e marrëveshjes.

Angazhimi

15 pikat e marrëveshjes: Si do të depolitizohet administrata publike nga militantët

Dokumenti PS-LSI: Asnjë ministër nuk do të jetë anëtar i qeverisë

Karta e bashkëpunimit mes PS-së dhe LSI-së e nënshkruar dje thekson në 15 pikat e saj parime të përgjithshme të një bashkëpunimi, i cili nis që nga demokratizimi i jetës së brendshme të vendit, vijon me reformat ekonomike dhe të pronave dhe përfundon me premtimin se brenda dy mandatesh të së majtës Shqipëria do të pranohet në BE. Interesant është dhe specifikimi në marrëveshje se do të ketë një ndarje të qartë mes posteve në qeveri dhe mandatit të deputetit. Asnjë ministër nuk do të jetë deputet.

Vendosin:

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bien dakord që ky bashkim të jetësojë sa më poshtë vijon:

1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë europiane si realitet i ri në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;

2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë europiane mbi çdo prioritet partiak.

3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkërisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.

4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në Parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkërisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës në qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.

5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit sovran qoftë në pushtetin legjislativ, qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.

6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta, si dhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.

7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël, si dhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.

8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke e trajtuar punësimin si objektiv themelor të rritjes ekonomike, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillimi dhe investitorë vendas apo të huaj, si dhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit –

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›